Site icon Telegrafi

Zbulohen katër opsionet e Real Madridit për ta përforcuar mbrojtjen në afatin e janarit

Real Madridi ka përgatitur një listë prej katër lojtarësh të cilët po konsiderohen për ta përforcuar fazën e mbrojtjes gjatë afatit kalimtar të janarit.

‘Los Blancos’ kanë bërë dy blerje të mëdha këtë verë me Kylian Mbappe që iu bashkua atyre nga PSG-ja si lojtar i lirë dhe Endrick që erdhi nga Palmeiras.

Klubi sidoqoftë, nuk bëri ndonjë transferim në fazën e mbrojtjes përkundër largimeve të Nachos dhe Rafa Marin.

Ata po ndiqnin nga afër francezin Leny Yoro, por ky në fund vendosi që të pranojë ofertën e Manchester United.

Mes krizës që ka kapluar mbrojtjen, The Athletic tani ka raportuar se Reali ka përgatitur një listë prej katër qendërmbrojtësve para afatit kalimtar të janarit.

Emri i parë në listë është sensacioni brazilian Vitor Reis, i cili gjithashtu po kërkohet me ngulm nga Chelsea dhe Arsenali.

Ata gjithashtu po mbajnë një sy edhe në dy mbrojtësit nga Bundesliga, Jonathan Tah dhe Castello Lukeba.

I fundit në listë është ish-ylli i Manchester Cityt dhe lojtari aktual i Al Nassr, Aymeric Laporte.

Kampioni në fuqi i Spanjës supozohej të luante sot (e shtunë) ndeshjen e radhës në La Liga ndaj Valencias, por ndeshja u pezullua për shkak të përmbytjeve që iu kanë marrë jetën 95 personave./Telegrafi/

Exit mobile version