Site icon Telegrafi

Zbardhet takimi i ambasadores amerikane me gjyqtarët të Gjykatës së Posaçme në Shqipëri

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim u takua sot me gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjatë takimit, Kim falënderoi gjyqtarët për punën e bërë dhe nënvizoi se nxit çdo gjyqtar dhe prokuror që të bëjë punën me ndershmëri.

“Nuk mund të theksojmë mjaftueshëm rëndësinë e një gjyqësori të drejtë, të paanshëm dhe të guximshëm, jo vetëm për popullin shqiptar, por edhe për miqtë dhe aleatët e tyre. Shqipëria po ecën përpara, jo pa vështirësi, por megjithatë po ecën”, tha Kim.

“Rruga përpara, është e vetmja rrugë për të moshuarit shqiptarë, të cilët nuk hoqën kurrë dorë nga shpresa dhe për djemtë dhe vajzat e reja, të cilët kanë aq shumë nevojë për të. E nxis çdo gjyqtar dhe prokuror të këtij vendi që ta bëjë punën e tij me ndershmëri, duke zbatuar pa mëdyshje ligjin, me guxim dhe krenari. Ne do të qëndrojmë krah jush, do të vazhdojmë të luftojmë bashkë me ju”, u shpreh ambasadorja.

Të mërkurën, ambasadorja zhvilloi edhe një takim me gjyqtarët e Shkallës së Parë, takim që u zhvillua në ambientet e Prokurorisë së Posaçme SPAK dhe zgjati 1 orë.

“Shqipëria nuk ka parë kurrë që zyrtarë të tillë të lartë të shpallen fajtorë me vendime përfundimtare. Kjo është një kohë kritike për Reformën në Drejtësi. Kriminelët po e ndjejnë presionin”, u shpreh ambasadorja para gjyqtarëve.

Ajo nënvizoi se duke qenë se drejtësia po vepron, gjyqtarët duhet tu rezistojnë akoma edhe më shumë presioneve që mund të vijnë nga kriminelët.

“Kjo do të thotë se përpjekjet e tyre do të jenë edhe më intensive dhe ju duhet të rezistoni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli shqiptar nuk duan që gjykata të kthehet në mënyrat e vjetra. Le të sigurohemi që ato kohë të mbeten në të kaluarën, njëherë e përgjithmonë”, u shpreh ambasadorja. /Telegrafi/

Exit mobile version