Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri dhe policia kanë zbardhur shkakun e helmimit masiv të qytetarëve në zonën e Bulqizës ditën e shtunë.
Sipas policisë shkak për helmimin është bërë ndotja e ujit të pijshëm nga një 64-vjeçar, i cili u procedua penalisht.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se për shkak të montimit të një tubi plastik, nga 64-vjeçari, ujërat e pijshëm të fshatit Gjoricë, ishin përzier me ujërat e zeza të këtij fshati, dhe kjo kishte shkaktuar helmimin nga uji, të disa banorëve të këtij fshati.
Bëhet me dije se pasi kanë marrë ndihmën mjëkësore, të gjithë banorët janë larguar në banesat e tyre dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Materialet procedurale në ngarkim të 64-vjeçarit u referuan në prokurorinë e Dibrës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.
“Nga veprimet e shpejta verifikuese, të kryera nga grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të AKU-së, u bë e mundur zbardhja e plotë ligjore e këtij rasti.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. M., 64 vjeç, banues në Peshkopi, Dibër, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”, njofton policia. /Telegrafi/