Nicolo Zaniolo ka qenë një çështje te Roma në 10 ditët e fundit, me sulmuesin italian që kërkoi largimin nga Olimpico.
Oferta më e mira erdhi nga Bournemouth, por që vet sulmuesi nuk e pranoi pasi nuk dëshironte t’i bashkohej skuadrës angleze.
Në 48 orët e fundit afrimin e italianit e tentuan edhe RB Leipzig, Sevilla, Leeds United, Southampton, Everton e Milan, por asnjëra nuk ishte në gjendje të plotësonte kërkesat e Romës për 30 milionë euro.
Roma e ka përjashtuar yllin italian nga projekti teknik dhe tifozët kanë shpalosur dhjetëra mesazhe ndaj tij, por Zaniolo duket se ka vendosur të reflektojë dhe të kthehet për të luajtur me Romën.
23-vjeçari tani ka bërë prapaktheu dhe dëshiron të luaj për Romën.
“Shumë gjëra janë shkruar për mua javët e fundit dhe shumë nuk janë të vërteta”, nis kështu mesazhi i numrit 22 të publikuar nga Ansa.
“Unë mbërrita në Romë si i panjohur dhe Roma dhe romanistët më pritën si të tyrin. Më dhanë besim, kurajo dhe dashuri në momentet e tmerrshme dhe të errëta të lëndimeve. Në Tiranë, me atë gol, ndjeva se kisha kthyer gjithçka që kisha marrë, duke ndihmuar për t’u dhënë gëzim të paharrueshëm të gjithë romanistëve”.
“Në moshën 23-vjeçare, pata përvoja që shumë nga kolegët e mi nuk i përjetojnë në një karrierë të tërë: rënie, ngritje, rrëzim përsëri, ngritje përsëri, fitore e humbje”.
“Muajt e fundit kam kaluar një periudhë delikate, në të cilën ishte e vështirë të kuptoja se cila do të ishte e ardhmja ime profesionale. Megjithatë, gjithmonë kam punuar shumë në fushë dhe në stërvitje me profesionalizmin maksimal”.
“Për herë të parë ditët e fundit pata frikë, për veten dhe për familjen time dhe u ndjeva i braktisur. Asnjëherë më parë një gjë e tillë nuk ndodhi dhe isha shumë i frikësuar. E ardhmja është në duart tona: e mbaj timen dhe e vë veten në dispozicion të plotë të familjes Roma”, ka thënë Zaniolo.
Tani mbetet në duart e drejtuesve dhe trajnerit të Romës, Jose Mourinho nëse do ta falin Zaniolon për ta rikthyer sërish në ekip. /Telegrafi/