Atmosfera pozitive mund të jetë vetëm përparësi për të dyja palët dhe besoj se në momentin e duhur do të krijohen kushte të bëjmë hap më tej, që nënkupton se duhet të shqyrtojmë variante të zgjidhjeve të ndryshme të problemit, deklaroi kryeministri Zoran Zaev, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për përshtypjet nga takimet e djeshme me ministrin grek të Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Unë jam pozitiv edhe nga vetë takimi edhe për atë se si po ndodhin gjërat me fqinjët në përgjithësi, ashtu edhe me Republikën e Greqisë. Tashmë ka klimë pozitive, ka miqësi, dialog dhe bisedime, ndërsa të dy takimet e ministrave në Athinë dhe Shkup e konfirmuan këtë “, deklaroi Zaev gjatë vizitës së sotme në Haraçinë me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Ai theksoi se e ka thirrur mediatorin Matthew Nimetz, nga nëntori, dhjetori apo janari, kur ta mendojë ai se është e përshtatshme, të dalë me zgjidhje të mundshme alternative.
“Qëllimi është që së bashku me opozitën ta zgjidhim këtë çështje, për shkak se është në interes të të gjithë qytetarëve të RM-së. Edhe partitë e pozitës dhe të opozitës së bashku në funksion që të gjejmë zgjidhje dhe jo të zvarritet problemi midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë. Ka vite që Maqedonia pret para dyerve të NATO-s, Maqedonia përfundimisht duhet që të bëjë hapa dhe të bëhet anëtare e plotfuqishme e NATO-s dhe të fillojë negociatat me BE-në”, deklaroi Zaev. /Telegrafi/