Në prag të vizitës së nesërme zyrtare në Republikën e Maqedonisë, Kryeministri Zoran Zaev sot mirëpriti ministrin për Evropë dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati.
Në takimin, në të cilin ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, u diskutua për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, si dhe për perspektivat e bashkëpunimit të mëtutjeshëm në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë ekonominë, tregtinë dhe ndërlidhjen, kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp.
Kryeministri Zaev informoi ministrin Bushati edhe për aktivitetet aktuale lidhur me realizimin e referendumit për marrëveshjen e Prespës, si hap i rëndësishëm i Maqedonisë dhe integrimet euroatlantike.
Ai, siç thuhet në komunikatë, shfaqi mbështetjen nga ana e Qeverisë aktuale në Shqipëri ndaj Maqedonisë, në veçanti atë të Kryeministri Edi Rama, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Për ne nuk ka alternativë kur bëhet fjalë për përmbushjen e qëllimeve tona strategjike, si anëtarësimi në BE dhe NATO, dhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë pjesëmarrja dhe vota në referendum është zë për të ardhmen e vendit tonë”, tha Zaev në takim me Bushatin.
Ai shtoi se inkurajohet dhe ka mbështetje të pakontestuar nga ana e liderëve evropian si dhe liderëve në NATO dhe BE, të cilët në këtë periudhë vizitojnë Maqedoninë, njëjtë si liderët politik të rajonit./Telegrafi/