Telegrafi

Ylli i Real Madridit ulërin nga dhimbjet e mëdha pas lëndimit të tmerrshëm që pësoi ndaj Villarrealit

Real Madridi fitoi me rezultat komod 2-0 ndaj Villarrealit në kuadër të javës së nëntë në elitën e futbollit spanjoll.

Ky ishte një reagim nga ekipi i Carlo Ancelottit pas humbjes befasuese që pësuan në mesjavë ndaj Lille në Ligën e Kampionëve.

Golat në këtë takim për madrilenët i shënuan Federico Valverde dhe Vinicius Junior, nga një për secilën pjesë.

Sidoqoftë, kjo fitore pati një shije të hidhur në fund për shkak të lëndimit të rëndë që ka pësuar Dani Carvajal

Po luheshin sekondat e fundit të takimit kur pas një dueli me Yeremy Pinon e mysafirëve, Carvajal ra në tokë duke ulëritur nga dhimbjet e mëdha.

Aty shumë shpejtë u ofruan bashkëlojtarët e tij të cilët u munduan ta qetësojnë derisa u nevojit ndihma e stafit mjekësor për të dalë nga fusha.

Siç dukej nga pamjet, me gjasë ai ka lënduar ligamentin ACL një lëndim që po ndodh shpesh në futboll e nga i cili së fundmi u prek edhe ylli i Barcelonës, Marc-Andre Ter Stegen.

Ditën e nesërme (e diel) pritet të mbahen disa teste mjekësore për të ditur përfundimisht shkallën e lëndimit të veteranit spanjoll./Telegrafi/