Trajneri portugez Ruben Amorim ka marrë drejtimin e Manchester United. Ai mbërrin te gjiganti pas një eksperience të jashtëzakonshme me Sporting Lisbonën, ku bëri një punë të shkëlqyer.
Më 4 tetor 2020, Amorim mori Sportingun dhe në katër vite arriti 165 fitore, 33 barazime dhe 33 humbje me një përqindje fitoresh 76 për qind.
Ai u bë një nga trajnerët e rinj më të mirë në Evropë dhe me Sportingun fitoi dy tituj kampion portugez, dy Kupa të Ligës dhe një Superkupë.
Sporting aktualisht është lider i kampionatit portugez me 11 fitore në 11 ndeshje, ndërsa në Ligën e Kampionëve është në vendin e dytë me tri fitore dhe një barazim.
Në xhiron e fundit të Ligës së Kampionëve, Sporting mposhti Manchester Cityn me rezultat 4-1 në Lisbonë, ndërsa në ndeshjen e fundit të Amorimit, si mysafirë te Braga, Sporting ishte duke humbur 2-0 dhe në 20 minutat e fundit fitoi 4-2.
Amorim ndërtoi Sportingun e tij në një formacion 3-4-3 dhe 3-4-2-1.
Skuadra luan me një intensitet shumë të lartë dhe është shumë sulmues, gjë që shihet nga numri i golave të shënuar.
Në pesë ndeshjet e fundit, Sporting ka shënuar 19 gola në të gjitha garat. Kjo tregon se futbolli i Amorimit bazohet në performancë fizike ku çdo lojtar duhet të jetë në formë maksimale.
Tashmë yjet e shtrenjtë të Man United do të përballen me ferr, sepse do t’u duhet të kalojnë metodat rigoroze të Amorimit për të përmbushur të gjitha kërkesat e tij, pra për të marrë rezultate të mira.
Megjithatë, Amorim tani duhet të fillojë praktikisht nga e para. Ai mori në dorë një ekip që nuk ka vetëbesim, mekanizma të koordinuar dhe mentalitet sulmues.
Mediat angleze kanë folur tashmë për mënyrën sesi Amorim do të krijojë Man United.
Ka mundësi që ai të kalojë në formacionin 3-4-2-1, për ta vendosur bashkatdhetarin Bruno Fernandes në lojën sulmuese.
Sipas kësaj ideje, Andre Onana do të mbetej në portë dhe Amorim do ta niste në mbrojtje me treshen Lisandro Martinez, Matthijs De Ligt dhe Leny Yoro.
Nga Anglia vjen lajmi se Amorim admiron veçanërisht të riun francez Yoro, një mbrojtës 19-vjeçar të cilin Man United e solli nga Lille për 62 milionë euro këtë verë.
Yoro u dëmtua rëndë në fillim të sezonit dhe ende nuk ka debutuar zyrtarisht, por është shumë e sigurt që Amorim do t’i besojë plotësisht.
Mbrojtësi i djathtë do të ishte Noussair Mazraoui dhe në të majtë do të ishte sulmuesi Alejandro Garnacho, i cili nga natyra është anësor.
Amorim do t’ia besonte çelësat Casemiro me përvojë në mesin e fushës dhe bashkë me të ritmin e lojës do ta mbante Manuel Ugarte, nga i cili pritet shumë te “Djajtë e Kuq” pas ardhjes së tij nga PSG.
Treshja sulmuese do të përbëhej nga kapiteni Bruno Fernandes, i riu Amad Diallo dhe qendërsulmuesi Rasmus Hojlund.
The start of something special ✨#MUFC pic.twitter.com/lN4XOibDW4
— Manchester United (@ManUtd) November 12, 2024
Amorim gjithashtu ka alternativa të shumta. Harry Maguire, Johnny Evans dhe Victor Lindelof janë në mesin e mbrojtësve.
Luke Shaw mund të luajë mbrojtësin e majtë, dhe Diogo Dalot mund të luajë mbrojtësin e djathtë.
Kobbie Mainoo është projekti i klubit në mesfushë dhe një lojtar që do të jetë shtylla e skuadrës në të ardhmen, ndërsa Mason Mount, Joshua Zirkzee dhe Marcus Rashford konkurrojnë në sulm.
Amorimi ka fond në skuadër, por mbetet për t’u parë se sa janë gati të luajnë futbollistët e listuar nën udhëzimet e tij. /Telegrafi/