Organizata e shoqërisë civile Youth Association for Human Rights (YAHR) ka prezantuar raportin e saj të fundit, në të cilin analizohet puna e Kuvendit Komunal të Lipjanit gjatë pjesës së dytë të vitit 2024. Sipas kësaj organizate, raporti synon të ofrojë një pasqyrë të qartë mbi performancën e kuvendarëve dhe subjekteve politike, duke vënë në dukje angazhimin dhe përkushtimin e tyre ndaj qytetarëve.
Sipas kësaj organizate për gjashtë muaj të pjesës së dytë të vitit në këtë kuvend kanë kaluar dhjetë pika të rendit të ditës pa u debatuar fare.
Gjatë kësaj periudhe, monitoruesit e “YAHR” kanë ndjekur 6 seanca plenare të Kuvendit Komunal. Nga këto seanca, janë aprovuar 21 vendime, 6 rregullore apo plane komunale dhe janë miratuar 8 raporte apo informata të ekzekutivit. Ky monitorim ka nxjerrë në pah disa çështje kyçe në mënyrën se si kuvendarët po kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit.
Bekim Krasniqi, drejtor ekzekutiv në këtë organizatë ka thënë për Telegrafin se gjetjet kryesore të raportit është fakti se kuvendarët kanë qenë më të prirur për të ngritur çështje dhe pyetje drejtuar ekzekutivit, në vend që të marrin pjesë aktivisht në debatet mbi pikat e ndryshme të rendit të ditës.
“Si rezultat, dhjetë pika të rendit të ditës kanë kaluar pa asnjë diskutim, ashtu siç janë propozuar nga ekzekutivi. Sa i përket përformancës së subjekteve politike, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dalë si subjekti politik më aktiv, duke marrë pjesë me 47 diskutime ose 50.54% të totalit. Ky angazhim reflekton përkushtimin e lartë të PDK-së për të adresuar çështje të rëndësishme në komunitet”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka ndjekur me 29 diskutime ose 31.18%, duke treguar një angazhim të konsiderueshëm në debatet dhe pyetjet drejtuar ekzekutivit.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë pjesë me 13 diskutime ose 13.98%, duke kontribuar në vendimmarrje dhe diskutime të rëndësishme. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka pasur 4 diskutime ose 4.30%, duke treguar një pjesëmarrje më të ulët por të rëndësishme në debatet komunale.
Partia Ashkalive për Integrim (PAI) nuk ka pasur asnjë diskutim gjatë kësaj periudhe, duke reflektuar një mungesë të angazhimit në seancat plenare.
“Raporti i YAHR është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së transparencës dhe llogaridhënies në qeverisjen lokale. Organizata YAHR do të vazhdojë të monitorojë dhe raportojë mbi performancën e legjislativit në Komunën e Lipjanit, duke synuar përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së përfaqësimit dhe vendimmarrjes për të mirën e qytetarëve”, ka thënë Krasniqi. /Telegrafi/