Xiaomi, prodhuesi kinez i telefonave, është në fazën përgatitore të hyrjes në industrinë automobilistike. Momentalisht kompania është në fazën e prodhimit testues të veturës së parë, gjë e cila kishte filluar muajin e kaluar. Fabrika e saj në Pekin në këtë pikë është duke prodhuar rreth 50 prototipe në javë.
Me aprovimin e Ministrisë së Industrisë dhe Informacionit, e cila pritet të jetë gati më së largu në fund të vitit, Xiaomi do ta fillojë prodhimin në masë të veturës së saj të parë, teksa kompania veçse ka filluar të punësojë staf që nga muaji i kaluar.
Xiaomi aktualisht është duke bërë një përzgjedhje dhe procesi i rekrutimit është dinamik dhe shumë i rreptë, transmeton Telegrafi.
Departamenti i Burimeve Njerëzore po punon shumë për të rekrutuar 100 punëtorë të rinj për të punuar në prodhim dhe disa burime pohojnë se disa nga aplikantët, të cilët kanë punuar në Mercedes dhe Tesla, nuk i plotësojnë kriteret e larta të Xiaomi.
Një proces rekrutimi i gjerë do të fillojë në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, atëherë kur edhe pritet të fillojë prodhimi në masë, megjithatë, prodhimi masiv përfshin një fazë të rritjes.
Bazuar në sipërmarrjet e përbashkëta të kompanive vendore dhe atyre të huaja në Kinë, si ato të praktikuara nga Volkswagen ose Toyota, rritja e prodhimit në 10,000 njësi në muaj kërkon një periudhë kohe prej rreth katër muajsh, ndërsa arritja e kapacitetit të plotë kërkon edhe një vit të tërë, sipas ekspertëve, duke shtuar se procesi varet nga shitjet dhe ngritja e linjës së prodhimit. /Telegrafi/