Site icon Telegrafi

Xhubleta e bukur dhe monumentale e shqiptarëve në UNESCO – etnografët dhe stilistët e vlerësojnë si rrugë suksesi dhe krenarie këtë arritje

Xhubleta përbën një nga elementet identifikuese tipike të veshjes së grave shqiptare, posaçërisht të Malësisë së Veriut, ku si emblemë kryesore është shqiponja, si dhe simbole të tjera që paraqesin lidhjet me fenë katolike dhe besimin te Zoti.

Si veshje mund të arrijë peshën deri në 14-15 kilogramë. Veçori tjetër identitare shqiptare janë motivet e lashta, që në xhubletë përfitohen me punëdore teknikash të ndryshme dhe me materiale të ndryshme, të cilat lidhen me paganizëm dhe me kulturën ilire- si gjarpri, pastaj motivet astrale dhe veçanërisht motivi i shqiponjës dykrenore si simbol i dalluar i kombit shqiptar.

Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s që u mbajt më 29 nëntor në Marok vendosi që kostumi popullor i xhubletës malësore dhe dija artizanale e prodhimit të saj të jenë pjesë e listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të njerëzimit.

Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara – UNESCO (Foto: UNESCO)

E një nismë e tillë po shihet si një hap i madh drejt ruajtjes së trashëgimisë kulturore shqiptare nga etnografët dhe kreatorët vendas.

Xhubleta Shqiptare (Foto: Arkiv)

Etngrafja e njohur shqiptare, Drita Halimi – Statovci, njëherësh profesoreshë e pensionuar e Fakultetit Filizofik nga Departamenti i Etnologjisë dhe Antropologjië Kulturore, tha për Telegrafin se një veshje e tillë përmbush të gjitha kriteret për të qenë pjesë e UNESCO-s dhe është e lumtur që një gjurmë e tillë shqiptare mbrohet tashmë nga kjo organizatë.

“Xhubleta është një mrekulli e trashëgimisë shqiptare, që falë veçorive të veta arriti të mbrohet nga UNESCO e të bëhet pasuri mbarë njerëzore. Veshja me xhubletë fare mirë përmbush kriteret e nevojshme për tu trajtuar dhe për tu mbrojtur si trashëgimi botërore. Në aspektin kostumologjik kësaj veshjeje nuk mund t’i gjendet paralele e gjallë në universin e veshjeve shqiptare, por as në ato botërore. Është veshje unikale, është veshje tepër arkaike, është veshje me pamje e prerje-qepje të jashtëzakonshme. Xhubleta është veshje që vjen nga koha e bronzit, përkatësisht ka moshë 4000 vjeçare dhe me vlera te pakontestueshme identitare të kulturës shqiptare, që u ruajt deri në kohën tone e vetëm te shqiptarët, realishtë në malësitë shqiptare brenda dhe jashtë kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë. Sot mjaft e reduktuar, por megjithatë jeton në Shqipërinë Veriore, në Malësinë e madhe, në krahinën etnogjeografike të Rugovës, në krahinën e Dukagjinit dhe në hapësirat e Malit të Zi”, ka thënë Halimi-Statovci.

Drita Halimi – Statovci (Foto: Arkiv)

Lidhur me xhubletën e mborjtur nga UNESCO, pinoerja e modës dhe dizajnit në kosovë, kreatorja Xheraldina Rexhepi u shpreh se është e kënaqur që një simbol i tillë udentifikue spër shqiptarët është tashmë pjesë e Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.

“Përderisa popujt tjerë historinë e kanë gdhendë në gur, është kënaqësi që historia dhe kultura jonë e endur në vek, u njoh nga UNESCO. Xhubleta, një kreacion i realizuar me një grumbull dekoresh e simbolesh, është dëshmi që tejkalon rolin e një veshjeje tradicionale. Çdo simbol dhe dekor në xhubletë, e cila sot është kryesisht me ngjyrë të zezë, po gjatë historisë 4000 vjeçare, përpos me formë, pasqyrohej edhe me ngjyra”, tha Xheraldina për Telegrafin.

Tutje, kreatorja Rexhepi thekson tiparet kryesore të xhubletës si veshje, të cilat janë të ndërthurura ngushtë me kulturën dhe origjinën e hershme të popullit tonë.

“Veçantia e saj si veshje, dhe veçantia e mënyrës si ajo punohet e bënë atë nga më uniket dhe nga më të papërsëritshmet dhe konsiderohet si një nga thesaret më të vlerta të etnokulturës sonë. Ajo i ka rezistuar kohrave dhe vjen e njejta edhe sot si një dëshmi e gjallë e kreativitetit te ngjizur në gjenet e popullit tonë. Xhubleta përfaqëson veshjen malësore në tërë madhështinë, ceremonialitetin dhe stilin e një veshjeje që është një monument kulture i shqiptarëve kudo që janë, tanimë të njohur botërisht dhe të mbrojtur edhe nga UNESCO”, theksoi Xheraldina Rexhepi.

Xheraldina Rexhepi (Foto: T7)

Edhe stilistja tjetër e njohur e Prishtinës, Blerina Kllokoqi-Rugova pati komente pozitive mbi këtë sukses të trashëgimisë kulturore.

Nusja e familjes Rugova tha se evoluimi i modës dhe të jetuarit në epokën digjitale shpesh bën që pasuria ndërkulturore dhe e vjetër të mos mbetet shumë në kujtesë, por që suksese si ky bëjnë me dije që në të vërtetë e kaluara e pasur e të veshurave shqiptare nuk duhet të lihet në harresë.

“Të rrëmbyer nga trendet e kohës, ndonjëherë nuk i kemi kushtuar shumë vëmendje vlerave tona. Kjo po që është një vlerë dhe ky rast na jep një motiv të reflektojmë për ta vlerësuar edhe ne vetë xhubletën. Edhe nëse nuk përdoret më në formën e saj origjinale, ajo ka elemente të mjaftueshme për ta risjellë në stil modern, duke ruajtur dhe përpunuar motivet origjinale, për ta ruajtur kështu edhe për një kohë të gjatë”, tha Blerina Kllokoqi – Rugova për Telegrafin.

Blerina Kllokoqi – Rugova (Foto: Blerina Kllokoqi Rugova/Facebook)

Sakaq, stilistja e njohur Yllka Brada u shpreh gjithashtu krenare për futjen e xhubletës nën mbrojtje të UNESCO-s, duke thënë se është një sukses mbarë kolektiv i trashëgimisë tonë kulturore.

“Duhet të jemi shumë krenarë dhe të nderuar për këtë rast i cili është shumë i veçantë për kulturën dhe traditën tonë. E di qe ka pasur iniciativa prej shteteve tjera që tas përvetësojnë prejardhjen e saj, për këtë arsye është një hap shumë i madh drejt trashëgimisë kulturore vulosja e saj si veshje kombëtare shqiptare si dhe mbrojta e saj nga UNESCO. Xhubleta është një prej veshjeve tradicionale që mua më pëlqen më së shumti dhe jam krenare që e kam një të tillë shumë të vjetër në koleksionin tim të veshjeve. Xhubleta ka një dizajn të përsosur i cili mendoj që edhe aktualisht është shumë modern, i veçantë dhe shumë inspirues për shumë kreatorë të modës. Ngjyra e zeze dhe vija e bardhë në fund si dhe harqet qe ia japin volumin e bëjnë këtë veshje sa të thjeshtë aq edhe ekstravagante. Metoda e realizimit është krejt në dore edhe mjaft e vështirë”, theksoi Yllka Brada për Telegrafin.

Yllka Brada (Foto: T7)

Përndryshe, ndonëse prej vitesh e angazhuar dhe me një përkushtim mjaft të madh nga shërbimi i jashtëm, shteti i Kosovës vazhdon të mos jetë shtet anëtar i UNESCO-s. /Telegrafi/

Elementet e xhubletës shqiptare (Foto: Arkiv)
Exit mobile version