Legjenda e Barcelonës, Xavi Hernandez ka folur për dëshirën e tij për t’u rikthyer në klub, por me kontroll të plotë mbi vendimmarrjen.
Spanjolli kundërshtoi mundësinë për të zëvendësuar ish-trajnerin Ernesto Valverde në janar, duke zgjedhur të mbetet në krye të skuadrës së Al Sadd.
Katalunasit kanë sjellë në ekip trajnerin Quique Setien, në një marrëveshje deri në vitin 2022, por Xavi sheh një rikthim në Camp Nou në të ardhmen.
“Jam i qartë se unë dua të kthehem te Barcelona dhe jam i ngazëllyer për këtë”, ka thënë fillimisht Xavi në një intervistë për gazetën katalanase La Vanguardia.
“Me përvojën që kam fituar, tani mund ta shoh veten të jem në gjendje të kontribuoj në zhvillimin e lojtarëve”.
“Megjithatë, do të duhej të ishte një projekt që fillon nga e para, pa ndikime toksike”.
“Të gjitha pjesët e klubit duhet të punojnë së bashku, gjë për të cilën unë e vlerësoj, por fjala e fundit dhe marrja e vendimeve do të ishin për mua”, përfundoi legjenda spanjolle.
40-vjeçari luajti me Gerard Pique, Sergio Busquets, Jordi Alba dhe Lionel Messi gjatë kohës së tij si lojtar, por shumica e tyre do të jenë afër pensionit më 2022.
Xavi mbetet i dashur nga tifozët e Barcelonës pas një karriere të shkëlqyeshme me klubin dhe emërimi i tij si menaxher do të marrë një mbështetje të konsiderueshme në të ardhmen. /Telegrafi/