Site icon Telegrafi

X ul kërkesat për programin e tij të ndarjes së të ardhurave nga reklamat

Rrjeti social nën pronësinë e Elon Musk, X (ish-Twitter), mbrëmjen e së enjtes bëri të ditur se ka ulur kërkesat për programin e saj të pagesave për kreatorët.

Kompania tha se kreatorët të cilët kanë mbledhur 5 milionë përshtypje në 3 muajt e fundit, do të jenë të kualifikuar për ndarjen e të ardhurave nga reklamat – çereku i kërkesës së kaluar prej 15 milionë përshtypjeve.

Kreatorët do të mund të tërheqin një shumë minimale prej 10 dollarëve në vend të 50 dollarëve, deklaroi kompania. Megjithëse, përdoruesit akoma do duhet të jenë të verifikuar dhe të kenë të paktën 500 ndjekës për t’u kualifikuar për pagesa, raporton Tech Crunch, transmeton Telegrafi.

Menjëherë pas njoftimit, Musk shtoi një kusht, duke thënë se vetëm përshtypjet nga llogaritë e verifikuara do të konsideroheshin për ndarjen e të ardhurave nga reklamat.

“Mashtruesit përndryshe do të përdorin bots për të spamuar pamjet në pafundësi”, paralajmëroi ai.

Aktualisht, X nuk u ofron përdoruesve të tij një mënyrë për të kontrolluar “shikimet e verifikuara” të postimeve të tyre.

Është e paqartë se si krijuesit do të jenë në gjendje të gjejnë sa shikime ose përshtypje kanë marrë postimet e tyre nga përdoruesit e verifikuar. /Telegrafi/

Exit mobile version