Shpresat për Kosovën dhe Gjeorgjinë që Bashkimi Evropian ta aprovojë lëvizjen pa viza në këtë verë janë shtyrë, pas disa shqetësimeve të reja që janë ngritur nga shtetet anëtare.
Gjermania ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me krimin e organizuar të bandave gjeorgjiane, ndërsa ndikim ka edhe rritja e frikës nga terrorizmi, transmeton Koha.net.
The Wall Street Journal raporton se zyrtarët e BE-së kanë thënë se shtatori është koha më e hershme që BE-ja dhe Parlamenti Evropian mund të arrijnë marrëveshje për dhënien e vizave për miliona qytetarë të këtyre shteteve.
Në javët e kaluara Komisioni Evropian kishte rekomanduar që të hiqen vizat për Kosovën, Turqinë, Gjeorgjinë dhe Ukrainën.
Megjithatë 28 shtetet anëtare të BE-së dështuan të marrin mbështetjen e duhur për Gjeorgjinë, vendim që është duke e pritur ky vend që nga dhjetori.
Në anën tjetër Italia dhe Franca kanë kërkuar që të pritet miratimi i rregullave të reja, të cilat lehtësojnë pezullimin e lëvizjes pa viza në rast të abuzimit. Ndërsa këto ndryshime pritet që të bëhen në shtator.
“Brukseli nuk ka më arsye për shtyrje. Kosova nuk duhet të jetë peng i ndonjë mosmarrëveshje ndërmjet Brukselit dhe Ankarasë. Ne kemi përmbushur detyrat tona”, është shprehur Thaçi për Wall Street Journal.