Wolverhampton Wanderers është kthyer nga disavantazhi prej një goli për ta mposhtur Chelsean me rezultat 2-1 në Molineux Stadium.
Rezultatin e zhbllokoi skuadra mysafire, kur pas një asistimi nga Eden Hazard, Ruben Loftus-Cheek goditi drejt portës dhe topi u devijua dhe përfundoi në rrjetë (18′).
Në vazhdim nuk pati raste konkrete shënimi, ashtu që Blutë shkuan në pushim me epërsi prej një goli. Mirëpo, në gjysmën e dytë, vendasit përmbysën gjithçka.
Raul Jimenez gjeti hapësirë në zonë, ku pranoi një top nga Morgan Gibbs-White dhe e barazoi rezultatin (59′).
Shumë shpejt, nikoqirët kaluan në epërsi. Matt Doherty dërgoi një pasim të mirë në zonë, të cilin e shfrytëzoi Diogo Jota për ta përmbysur rezultatin (63′).
Në minutat e mbetura, mysafirët nuk arritën të bënin asgjë për ta ndryshuar rezultatin dhe u mposhtën në këtë sfidë.
Kjo humbje e lë Chelsean prapa në garën për titull, kur kihet parasysh se Manchester City dhe Liverpooli kanë regjistruar fitore.
Tri pikët e reja e pozicionojnë Wolverhamptonin në vend të 12-të në tabelë me total prej 19 pikësh.
Në xhiron e ardhshme, Blutë zhvillojnë derbin kundër Manchester Cityt, derisa Wolves luajnë si mysafirë të Newcastle United. /Telegrafi/