Site icon Telegrafi

Witsel konfirmon largimin nga Dortmundi në fund të sezonit, e ardhmja e tij në MLS ose Serie A

Axel Witsel do të largohet nga Borussia Dortmund në fund të këtij sezoni pas katër viteve qëndrim në klubin gjerman.

Mesfushori belg iu bashkua verdhezinjve në verën e vitit 2018 nga skuadra kineze Tianjin Teda për shumën e 20 milionë eurove.

Por pas humbjes nga Bochum, Witsel ka konfirmuar se do të largohet në verë nga Dortmund ku i skadon edhe kontrata me këtë skuadër.

“E vërteta është që si në sezonin e kaluar, ashtu edhe këtë aktual, kemi pësuar shumë gola dhe duhet të përmirësohemi në fazën mbrojtëse. Fola në përgjithësi, sepse unë nuk do të jem këtu sezonin e ardhshëm”.

“Jam i gëzuar që kalova katër vite të shkëlqyera këtu dhe i mërzitur që do të largohem, por ka ardhur koha për një eksperiencë tjetër”, tha Witsel.

A do të ketë rikthim në Belgjikë? “Jo, ende është herët të rikthehem në vendlindje”, u shpreh mesfushori 33-vjeçar.

Mediat gjermane kanë raportuar se e ardhmja e lojtarit lidhet me kampionatin italian dhe atë amerikan.

Roma, Lazio, Juventus e Fiorentina janë skuadrat italiane që e pëlqejnë lojtarin, derisa Los Angeles dhe Los Angeles Galaxy e duan transferimin e tij në MLS.

Witsel në katër vite qëndrim te Borussia Dortmund ka zhvilluar 143 ndeshje zyrtare ku ka shënuar 13 gola e ka asistuar në gjashtë të tjerë. /Telegrafi/

Exit mobile version