Willian ka pranuar se kishte dashur të largohej nga Arsenali vetë tre muaj pas nënshkrimit, sepse nuk ishte i lumtur në Londrën Veriore.
Topçinjtë e transferuan brazilianin si lojtar të lirë pas largimit të tij nga Chelsea në verën e vitit 2020, ndërsa në Emirates nënshkroi kontratë trevjeçare.
Megjithatë, ai kërkoi ndërprerjen e kontratës në muajin gusht duke iu ribashkuar klubit të fëmijërisë, Corinthians, sepse nuk mund ta arrinte potencialin e tij te skuadra angleze.
“Nuk isha i lumtur, prandaj nuk luaja mirë. Nuk dua të hyj në detaje, por nuk isha i lumtur”, ka thënë Willian për kanalin e Rio Ferdinand në YouTube, FIVE.
“Kur shkova atje isha i lumtur, isha i motivuar nga fillimi, doja të kisha sukses, klub i ri, bashkëlojtarë të rinj, projekte të reja”.
“Pas tre muajsh, i thash agjentit tim: ‘Të lutem, dua të largohem’. Nuk dua të flas keq për klubin, sepse është një klub i madh me histori të madhe në futboll, lojtarë të mëdhenj kanë luajtur atje – por nuk funksiononte, ishte padyshim periudha më e vështirë në karrierën time”, është shprehur tutje 33-vjeçari.
Willian ishte ndër mesfushorët më të mirë në Ligën Premier gjatë shtatë viteve te Chelsea, ku i fitoi dy tituj kampionalë, por asnjëherë nuk e tregoi të njëjtën formë te Arsenali. /Telegrafi/