Site icon Telegrafi

VV-ja ka dy kushte për takim me Mustafën

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, thotë se partia e tij do të pranonte të që të marrë pjesë në një takim me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, për të diskutuar rreth çështjes së shënimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, me vetëm dy kushte!

“Nuk ka ftesë zyrtare. Është përfol një mundësi për takim dhe në këtë drejtim takimi mund të jetë i mundshëm dhe duhet të shërbente për dy arsye kryesore: që Qeveria të japë dorëheqjen, si dhe ndryshimi i marrëveshjes në bashkëbisedim me Malin e Zi. Çfarëdo tjetër është e dëmshme”, ka thënë Ymeri.

Ai u shpreh se kundërshtimi i Demarkacionit nuk mund të bëhet vetëm përmes votës, porse një gjë e tillë do kundërshtim më të angazhuar dhe më gjithëpërfshirës, duke mos përjashtuar protestat qytetare.

“Kjo qeveri e ka shkatërruar secilin sektor, si drejtësinë, shëndetësinë, arsimin”, tha Ymeri.

Kreu i VV-së thotë se largimi i Qeverisë aktuale është zgjidhja e vetme për zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit.

“Zgjedhja se kush do ta qeverisë vendin do të vijë përmes votës. Kosova duhet të ketë sistem të mirëfilltë demokratik. Ne aktualisht kemi një Qeveri e cila e ka kapur shtetin dhe duhet të largohet sa më parë, që t’i hapet rrugë ushtrimit të demokracisë, përmes votës, transparencës dhe vullnetit të qytetarëve. Zajednica, Demarkacioni, ligji për faljen e borxheve, ndryshimet tatimore, reformat fiskale… cili vendim i Qeverisë i ka mundësuar qytetarëve një jetë të mirë? Asnjë”, tha Ymeri në RTV21.

Ai u shpreh se tashmë Qeveria e ka pranuar se tërheqja e kësaj marrëveshjeve është rezultat i angazhimit të qytetarëve dhe disa deputetëve.

Exit mobile version