Dejan Beriq është një luftëtar i ‘kalitur’ serb. Që nga viti 2014 ai ka luftuar në Ukrainë, në formacionet paraushtarake që ishin nën kontrollin e parashtetit të Republikës Popullore të Donetskut. Më saktë, ai luftoi në anën e formacioneve ushtarake joformale ruse. Pasi Rusia nisi zyrtarisht agresionin e saj kundër Ukrainës në fillim të këtij viti, Beriq u ngarkua me rekrutimin e ushtarëve nga Serbia.
“Pra, ju vini në Moskë. Unë ose dikush nga shërbimi do t’ju presim në Moskë. Ata do t’ju çojnë në poligon dhe atje do të nënshkruani një kontratë. Ju shërbeni në forcat e armatosura të Federatës Ruse në kushte të njëjta si çdo ushtar tjetër rus. Pra, ti je ushtar me kontratë. Nuk ka vullnetarë. Merret rrogë dhe ju regjistrohet përvoja e punës”, thotë Dejan Beriq në fillim të videos së publikuar nga “Istraga.ba”.
“Kështu duket tenda e ushtrisë ruse”, thotë në sfond serbi Dejan Beriq teksa hyn në një nga tendat në kampin stërvitor të Ushtrisë së Federatës Ruse.
Në atë tendë janë vendosur disa serbë që kanë ardhur për të luftuar në frontin e Ukrainës. Sidoqoftë, para se të shkojnë në fushën e betejës, ata duhet të kryejnë stërvitje. Në video mund të dëgjohen të paktën gjashtë të rinj nga Serbia duke u trajnuar nga forcat speciale ruse, transmeton Telegrafi.
“Përshëndetje për Borçen”, thotë njëri prej tyre në një video të publikuar dy ditë më parë në kanalin e Dejan Beriqit në YouTube.
I revoltuar me qëndrimin e autoriteteve serbe ndaj tij dhe akuzat se ai po çonte “mish për top” nga Serbia në frontin ukrainas, Beriç vendosi të bënte një video të shkurtër ku shihen vullnetarët serbë duke u përgatitur për operacione luftarake.
“Mos t’ju mashtrojë se kushtet në kamp janë të mira. Megjithatë, kur shkohet në luftë, atje gjithçka është shumë më ndryshe dhe shumë më e vështirë”, thotë Beriq, teksa i afrohet një grupi qytetarësh serbë të grumbulluar rreth zjarrit.
Dy serbë pranojnë të fotografohen fytyrat e tyre. Ata tregojnë copa mishi të thatë dhe thonë se janë më mirë në ushtrinë ruse se në Serbi.
“Përshëndes luftëtarët për Rusinë. Veç edhe Zoti të na ndihmojë”, thotë një ushtar, ndërsa Beriç shton: “Zoti dhe artileria ruse”.
Një i ri, i quajtur Borçanac, shfaqet në tendë.
“Është më mirë se në Beograd. Më mirë se në shtëpi, vëlla”, thotë Borçanac.
Një nga ushtarët tregon se si kushtet janë “top”. Ai tregon çizmet poshtë krevatit dhe ato në këmbë.
“Nëse do t’i kisha ato kur isha në Kiev, do të përfundonte”, thotë Beriq.
Në sfond dëgjohet zëri i një të riu. Ai fton djem të tjerë nga Serbia që t’u bashkohen atyre.
“Këtu mbrohet Kosova. Dhe jo atje poshtë”, përfundon ai thirrjen e tij.
Vullnetarët serbë, i grumbullon dhe koordinon 48-vjeçari Dejan Beriq – Deki nga Vojvodina, i cili është shpërblyer shtatë herë për meritat e tij në Ukrainë.
Ai ishte një nga snajperistët më të famshëm dhe është plagosur disa herë.
“Së pari, mund të humbasësh jetën dhe të bëhesh invalid i përhershëm. Kjo nuk është një lojë Play Station, njerëzit vdesin këtu dhe mendoni mirë nëse doni të vini. Nëse jeni të sëmurë dhe mendoni se nuk do t’i mbijetoni stërvitjes, rusët do t’ju kthejnë dhe më pas do të keni probleme me ligjin në vendet tuaja ku merrni një dënim me burg për angazhim në anën e Rusisë. Vet do t’i bartni shpenzimet e udhëtimit dhe vetëm pas tre muajsh nga nënshkrimi i një kontrate profesionale me ushtrinë ruse, ato mjete do t’ju kthehen. Kur nënshkruani kontratën, i keni të gjitha të drejtat si çdo ushtar profesionist rus, dhe paga juaj mujore është 110 mijë rubla ose nga 1500 deri në 1600 euro dhe nëse jeni i angazhuar në fushat më të vështira të betejës, paga arrin deri në 2000 euro”, ka shkruar Beriq në kanalin e tij Telegram, transmeton Telegrafi.
“Pasi të keni shërbyer gjashtë muaj në ushtrinë ruse si ushtar profesionist, ju keni të drejtën për një pasaportë ruse dhe nënshtetësi ruse. Menjëherë pas mbërritjes [në Rusi] , duhet të lini numrin e telefonit të një personi të afërt nga vendi nga vini, për t’i informuar për vdekjen tuaj eventuale, për të cilën shteti rus i paguan personit kontaktin e të cilit i lini shtatë milionë rubla (pak më shumë se 115 mijë euro) dhe kujdeset për shpenzimet e transportit të trupit të ndjerit deri në destinacionin ku do të varroseni. Në rast se plagoseni, ose lëndoheni (këmbë e thyer etj.) gjithashtu merrni dëmshpërblim në varësi të peshës së lëndimeve, dhe dëmshpërblimi arrin deri në 45 mijë euro për një plagosje me predha, që konsiderohet lëndim mesatarisht i rëndë. Unë do të jem komandant në atë batalion dhe nuk do të toleroj kurrfarë alkooli apo jo disiplinë, kurse stërvitjen me ju do ta kryejnë në Donetsk katër instruktorë të lartë ushtarakë që janë tashmë atje”, ka shpjeguar Beriq përmes kanalit të tij Telegram. /Telegrafi/