Në Bruksel u zhvillua një darkë pune e liderëve nga Ballkani Perëndimor me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini. Ky ishte takimi i fundit në këtë format për Mogherinin, pasi mandati i saj si kreu i diplomacisë evropiane përfundon më 1 dhjetor.
Në një video, të publikuar në kanalin zyrtar të Presidencës së Malit të Zi në YouTube, janë regjistruar detaje ku shihen liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor teksa përshëndeten mes vete, në pritje të Përfaqësueses së Lartë të BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.
Aty shihet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi teksa shtrëngon duart me presidentë e kryeministra të shteteve të rajonit, e ndër ta edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe atë të Republikës Srpska, Millorad Dodik, transmeton Telegrafi.
Ndërkohë, aty paraqitet edhe Federica Mogherini, e cila përshëndetet me të ftuarit e saj nga Ballkani Perëndimor.
Mirëpo, ajo që i ka bërë përshtypje presidentit serb, Alekdandar Vuçiq, ka qenë përshëndetja e Mogherinit me Thaçin.
“Hashim, Federica më së shumti ka dëshirë të puthet me ty”, dëgjohet teksa thotë Vuçiqi.
Thaçi nuk dëgjohet ta komentojë në këtë rast, mirëpo Vuçiqi ka vazhduar ta ngacmojë presidentin kosovar.
“Shikoni se si bëhet sikur nuk merr vesh serbisht, por flet shumë mirë”, thotë Vuçiqi. /Telegrafi/