Telegrafi

Vriten tre persona në Shqipëri

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me masakrën e ndodhur afër mesnatës në qytetin e Memaliaj, ku në një atentat me armë zjarri u vranë tre persona.

EuronewsAlbania raporton se objektiv i atentatit kanë qenë pjesëtarët e familjes Kalemi të cilët ndodheshin në lokalin e një të afërmi të tyre pranë bashkisë së qytetit.

Dyshohet se atentatorët kanë hapur zjarr me breshëri kallashnikovi, duke lënë të vdekur Shyqo Kalemin dhe kanë plagosur rëndë vëllain e tij, Artur Kalemi.

Si pasojë e të shtënave kanë mbetur të vrarë dhe kamarieri i lokalit dhe një klient.

Shyqo Kalemi është babai i Adriatik Kalemit, të afërm të Aleksandër Sadikaj, i cili mbeti i vrarë në atentatin e ndodhur me tritol te rrethrrotullimi i Saukut në vitin 2022.

Dyshohet se pas ekzekutimit të Aleksandër Sadikaj, Adriatik Kalemi, mund të ketë pasur gisht në organizmin e vrasjes së biznesmenit nga Saranda, Edmond Papa në shenjë hakmarrje për të afërmin.

Pas vrasjes së biznesmenit, në një hark kohor prej disa muajsh, Adriatik Kalemit i janë bërë dy atentate në Greqi për ta eliminuar fizikisht.

Atentatit i ka shpëtuar dhe vëllai i Adriatikut, Zamir Kalemi, ndaj automjetit të të cilit u qëllua me breshëri plumbash në afërsi të mbikalimit të Selitës në Tiranë./euronewsAlbania/