Site icon Telegrafi

Vrasja e palestinezes në Tiranë, telefonata që zbuloi burrin që i mori jetën

Motivet e vrasjes së 24 vjeçares palestineze nga bashkëshorti i saj 49-vjeçar po me të njëjtën kombësi, mbeten mister për grupin hetimor.

Çifti i bashkëshortëve Rayyan dhe Fadi Alëan jetonin në Gjermani dhe më datë 19 shkurt kanë mbërritur në Shqipëri për herë të parë nëpërmjet aeroportit të Rinasit. Ata morën një taksi dhe shkuan në rrugën “Gjon Muzaka”, ku kishin prenotuar edhe banesën me qira, ambient ku u krye dhe krimi makabër. Por tre ditë më pas, më datën 22 shkurt, 49-vjeçari largohet i vetëm nga aeroporti i Rinasit, me dokumente greke, po me të njëjtat që edhe kishte hyrë më datë 19.

Destinacioni i tij, nuk ishte Gjermania, por Athina. Prej andej ka udhëtuar drejt Holandës e më pas me mjet të transportit publik drejt Gjermanisë.

Policia ka dyshime se vrasja e të resë ka ndodhur ndërmjet datës 19 dhe 22 shkurt, kohë e cila do të përcaktohet qartë nga mjekësia ligjore. Për krimin, policia u informua nga pronarja e banesës. Ajo i tha policisë se nuk kishte parë lëvizje të çiftit gjatë ditëve të fundit dhe për këtë arsye kishte hyrë në banesë dhe kishte zbulua trupin e pajetë të vajzës.

Hetuesit e patën të vështirë të mësonin identitetet dhe origjinën e tyre, pasi pronares së shtëpisë nuk u kishin lënë asnjë mjet identifikimi. Por një telefonatë e bërë nga burri 49 vjeçar që rezervoi banesën me qira zbuloi gjithçka. Nëpërmjet oficerit të kontaktit që autoritetet shqiptare kanë në Gjermani zbuluan se kujt i përkiste numri i celularit dhe ai më pas tregoi për grupin hetimor se telefonata nga Gjermania në Shqipëri ishte bërë nga 49-vjeçari Fadi Alwan.

Pas krimit, në banesë policia nuk gjeti asnjë mjet identifikimi të vajzës, para dhe as thikën me të cilën është kryer vrasja, të cilat mendohet të jenë marrë me vete nga bashkëshorti i saj. Ky i fundit tashmë është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe pritet të lokalizohet e të vihet përballë drejtësisë shqiptare nën akuzën e vrasjes.

Exit mobile version