Gjykata Themelore e Ferizajt ka bërë të ditur se të premten, më 4 gusht do të bëhet shpallja e aktgjykimit ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuar për vrasjen e Marigona Osmanit.
Seanca e shpalljes së aktgjykimit do të nis në ora 11:00 dhe është e hapur për publikun.
“Ju njoftojmë se të premten më 4 gusht 2023, duke filluar nga ora 11:00, vazhdon seanca gjyqësore me shpalljen e aktgjykimit në çështjen penale, kundër të pandehurit D.K., i akuzuar për shkak të veprave penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe veprës penale në bashkëkryejre vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe të pandehurit A.S., i akuzuar për shkak të veprave penale në bashkëkryejre vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe veprën penale ndihma në kryerjen e veprës penale të dhunimit nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, sot në seancën gjyqësore janë thënë fjalët përfundimtare.
Familja e të ndjerës Marigona Osmani, përmes avokatit Gazmend Rexhepi ka kërkuar burgim të përjetshëm për të akuzuarit.
Ndërkaq, i akuzuari për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaça ka shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur, gjersa theksoi se po të mundte do bënte gjithçka të kthente kohën pas.
E Arbora Shefkiu, avokatja e të dyshuarit tjetër, Arbër Sejdiut kërkoi që klienti i saj të lirohet nga akuzat.
“Kur vendoset drejtësia për Marigonën duhet me u vendosë edhe për Arbërin njëjtë”, citohet të ketë thënë Shefkiu. /Telegrafi/