64-vjeçari Isuf Hasa i cili vrau duke goditur me çekiç fqinjin e tij 81-vjeçar Xhemal Meta në Tiranë, ka dhënë dëshminë e tij para policisë, ku ka thënë se viktima e kishte ofenduar dhe i kishte ngacmuar gruan.
Sipas Hasës, 81-vjeçari e merrte shpesh në telefon dhe i përmendte gruan. Ai shtoin se pasi e vrau me çekiç i mori edhe lekët.
“Më 13 janar shkova në mëngjes në shtëpinë e Xhemalit dhe konsumuam kafe. Pasi mbaruam, do të shkonim në lokalin e fshatit. Në oborrin e shtëpisë së tij pashë çekiçin dhe e mora e qëllova nga pas. E qëllova pasi kishte shumë kohë që më ofendonte. Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan. Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja disa netë në shtëpi.
Xhemali më merrte në telefon dhe më thoshte që si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas tënde. Kisha kohë që nuk po e duroja dot. Pasi e vrava i mora lekët. E dija që kishte lekë sepse m’i kishte treguar po ai vetë. Më pas kam shkuar tek stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Më pas shkova tek shtëpia e vajzës në Vorë ku fsheha çekiçin”.