Policia e Kosovës ka ndaluar një shofer në Gjakovë, i cili e drejtonte veturën nën ndikimin e alkoolit.
Ngasësi, pasi u mat me alkool-test kishte rezultuar me një nivel prej 2.17 për qind të alkoolit.
Pas kësaj atij i është konfiskuar patentë shoferi për një vit , po ashtu i është shqiptuar gjobë prej 500 eurove dhe tri pikë negative.
Rasti është regjistruar më datë 19 shkurt 2024, në rrugën “Wesley Clark” në qytetin e Gjakovës, ku Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor ka kryer kontrolle të rregullta si pjesë e përpjekjeve të saj për të rritur sigurinë rrugore dhe për të parandaluar aksidentet.
Policia thotë se mbeten të fokusuar për vetëdijesimin e shoferëve për respektimin e rregullave të komunikacionit.
Në të njëjtën ditë, një rast tjetër i shkeljes së ligjit mbi trafikun rrugor u raportua në të njëjtin vend, ku një drejtues autobusi kishte bërë tejkalim në një pjesë të rrugës ku kishte sinjalizim për të ndaluar tejkalimin.
Ky veprim u regjistrua nga një video-incizim, i cili më pas u shpërnda në rrjetet sociale.
Drejtuesi i autobusit u identifikua dhe u gjobit me 150 euro dhe dy pikë negative, dhe iu ndalua gjithashtu drejtimi i mjetit me veprim motorik për tre muaj si masë mbrojtëse.
“Këto raste dëshmojnë angazhimin e Policisë së Kosovës në zbatimin e ligjit dhe masat strikte që po ndërmerr për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor”, thuhet në njoftimin e Policisë./Telegrafi/