Vonesa për në aeroport ia shpëtoi jetën - pasi aeroplani që humbi u rrëzua menjëherë pas ngritjes në Indi
Bhoomi Chauhan, një 28-vjeçare nga Bristol i Anglisë që ndodhej për pushime në Indinë Perëndimore, i shpëtoi për mrekulli një tragjedie ajrore vdekjeprurëse pasi humbi fluturimin e saj nga Ahmedabad për në Gatwick të Londrës për vetëm 10 minuta.
Ajo ishte rrugës për në aeroport, por trafiku i rënduar bëri që të mbërrinte në orën 12:20, vetëm pak minuta pasi “paraqitja” për fluturimin AI171 kishte përfunduar, përcjell Telegrafi.
Megjithëse kishte bërë check-in online dhe i ishte caktuar vendi 36G në klasën ekonomike, Chauhan tregon se stafi i Air India nuk e lejoi të kalonte, pavarësisht lutjeve të saj.
E zemëruar dhe e dëshpëruar, ajo u largua nga aeroporti dhe ndaloi në një vend për të pirë çaj, duke diskutuar me agjentin e udhëtimit mundësinë e rimbursimit.
Pikërisht në atë moment, mori një telefonatë: aeroplani ishte rrëzuar menjëherë pas ngritjes.
Aeroplani u përplasë në një zonë të banuar duke shkaktuar vdekjen e 241 pasagjerëve dhe 12 anëtarëve të ekuipazhit, si dhe të paktën tetë personave në tokë.
Në bord ishin shtetas britanikë, indianë, portugezë dhe kanadezë.
“Është një mrekulli që jam gjallë”, ka thënë Chauhan, ende e tronditur nga ajo që ndodhi.
“Në fillim isha e dëshpëruar që humba fluturimin, por tani... nuk gjej fjalë”.
Shërbimet e emergjencës vazhduan kërkimet për viktima dhe shkaqet e aksidentit, ndërsa familjet e viktimave kërkojnë përgjigje. /Telegrafi/


