Site icon Telegrafi

Volvo CX40 që mbushet me rrymë, një nga makinat më të sigurta ndonjëherë

Kjo është njëherësh, makina e parë elektrike nga Volvo dhe prezantohet gjatë muajit të ardhshëm

Sikur të gjithë prodhuesit edhe Volvo po punon në makina që mbushen me rrymë, ndërsa planifikon t’i elektrifikojë të gjitha modelet e këtij viti dhe të lansojë pesë makina të reja elektrike deri më 2021, transmeton Telegrafi.

Deri në vitin 2025, Volvo planifikon që gjysma e makinave që shiten, të kenë mundësi të mbushen me rrymë. Makina e parë elektrike nga Volvo, është CX40 që lansohet në fund të vitit, ndërsa tani është bërë e ditur se do të prezantohet gjatë muajit që vjen.

Prodhuesi suedez e ka shfrytëzuar mungesën e motorit me djegie të brendshme, që të punojë për t’ia rritur sigurinë, ndërsa thuhet të jetë një ndër makinat më të sigurta ndonjëherë, që janë shitur në treg.

Inxhinierët kanë punuar në hapësirën e përparme, për ta bërë sa më të sigurt për udhëtarët në rast të ndonjë aksidenti, duke ndryshuar strukturën dhe vendosjen e baterive. Tërë pjesa e përparme është më e zgjeruar, duke e mbajtur kabinën e brendshme, larg ndonjë përplasjeje të mundshme.

Bateria është e mbështjellë me një lloj kafazi prej alumini, për të qenë sa më sigurt dhe është vendosur në pjesën e poshtme, për ta ulur qendrën e gravitetit dhe shmangur mundësinë e rrotullimit të makinës.

Që të jetë edhe më e sigurt, janë vënë shumë kamera, radarë dhe sensor për paralajmërim, ndërsa shoferi do të ndihmohet edhe me sistemin e asistentit.

Më 16 tetor, do ta shohim nga afër këtë Volvo CX40, që pritet të jetë më i lirë se Tesla Model X dhe Jaguar I-Pace. /Telegrafi/

Exit mobile version