Kosova ditë më parë i kishte bërë ftesë zyrtare kompanisë Volkswagen që ta hapë një fabrikë në vendin tonë.
Në letrën drejtuar bordit menaxhues të Volkswagen, të siguruar nga Telegrafi, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala kishte shkruar se nisur nga informacionet se kompania po planifikon investime në Evropën Juglindore, kjo ministri dhe Qeveria e Kosovës do të donin të shprehin gatishmërinë që të shërbejnë në drejtim të sjelljes së këtij investimi në Kosovë.
Mirëpo, siç bënë të ditur DPA, gjiganti i automobilizmit gjerman e ka ngushtuar zgjedhjen e shteteve ku mund ta hapë fabrikën e re, e cila mund të jetë Turqia apo Bullgaria, përcjell Telegrafi.
Deri më tani nuk është marr një vendim përfundimtar, i cili pritet të bëhet i ditur nga Bordi Mbikëqyrës i kompanisë pas festës së Pashkëve.
Sipas burimeve, sindikata e punonjësve është e shqetësuar për shfrytëzimin e kapaciteteve në fabrikat ekzistuese dhe kërkoi që në vend të ri-investimit të investojë në një nga vendet ekzistuese.
Prodhuesi gjerman i makinave, në mesin e muajit nëntor 2018 kishte njoftuar se investimet e saja në makinat autonome dhe digjitalizim, pritet të rriten në pothuajse 44 miliardë euro në pesë vitet e ardhshme.
Vitin e kaluar, shefi i degës së Volkswagen për Evropë, Bernard Maier, kishtë thënë se kapaciteti i impianteve Skoda është shfrytëzuar plotësisht dhe një zgjidhje e mundshme mund të jetë ndërtimi i një fabrike të re. /Telegrafi/