Reshjet e shiut kanë shkaktuar kolaps total në qytetin e Vlorës me përmbytje në rrugë, sheshe dhe biznese, duke bllokuar qarkullimin.
Prurjet e dendura të shiut kanë përmbytur jo vetëm disa akse dhe kryqëzime në Vlorë, por kanë përmbytur edhe qendrën historike dhe spitalin.
Reshjet në këtë qytet kanë përmbytur rrugë, biznese dhe ndërtesën e pediatrisë. Të përmbytura janë edhe Sheshi i Flamurit, rruga Isa Boletini dhe akset lidhëse bulevard –Transballkanike.
A2 CNN njofton se pronarët e një farmacie në Vlorë janë bllokuar brenda për shkak të situatës së përkeqësuar nga reshjet dhe përmbytjet në rrugë.
Raportohet se për nxjerrjen e tyre jashtë farmacisë kanë ndërhyrë zjarrfikëset.
Në rrugën “Albano dhe Romina” situata është kaotike.
Pasditen e së premtes, i gjithë territori shqiptar është përfshirë këtë të premte nga stuhi shiu. Intensiteti i lartë i reshjeve është shoqëruar me problematika në disa zona, kryesisht në Ultësirën Perëndimore të vendit.
Ne Lezhë uji vërshoi në rrugët kryesore të qytetit duke bërë që të ketë vështirësi në lëvizjen e qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve. Nxënësit e shkollave sidomos nuk e patën të lehtë të kalonin rrugët.
Edhe disa rrugë të lagjeve të Shkodrës u mbuluan nga uji. Shiu i dendur përmbyti rrugët edhe në Durrës. Një nga zonat më të prekura është rruga kryesore Taulantia, ku niveli i ujit ka mbuluar trotuaret.
Sipas njoftimeve zyrtare, shërbimet e emergjencës po punojnë në terren për normalizimin e situatës. Parashikimet e “MeteoAlb” tregojnë se moti do të nisë të përmirësohet gjatë mbrëmjes së kësaj të premteje, duke bërë që të shtunën dhe të dielën të ketë reshje të pakta shiu.