Site icon Telegrafi

Vjen reagimi nga Shtëpia e Bardhë për dakordimin në Ohër: Kosova dhe Serbia të fillojnë sa më shpejt zbatimin e obligimeve

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë përshëndetur dakordimin mes Kosovës dhe Serbisë mbi aneksin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Adrienne Watson, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, ka thënë se SHBA-të mirëpresin marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja.

“Ne mirëpresim marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga SHBA-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe u bëjmë thirrje të dyja palëve që të fillojnë zbatimin e detyrimeve të tyre sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shkruar Watson.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.

Duke iu adresuar gazetarëve, ai tha se kjo është një “arritje e rëndësishme”.

“Ajo që palët pranuan, është që Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian”, tha Borrell. /Telegrafi/

Exit mobile version