Site icon Telegrafi

Vjedhje në xhami dhe asgjësim pasurie – tre të arrestuar në Lipjan e Prishtinë

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e tre personave në raste të ndara në rajonin e Prishtinës, të dyshuar për vjedhje të rënda.

Në rastin e parë policia e stacionit policor në Lipjan arrestuan dy të dyshuar lidhur me disa raste të vjedhjeve të rënda të ndodhura nëpër disa xhami në fshatra të ndryshme të komunës së Lipjanit.

“Rastet ishin denoncuar në polici përgjatë vitit 2023 dhe 2024, ku dyshohej se, persona të dyshuar kishin vjedhur gjësende të ndryshme e në disa raste kishin dëmtuar dhe asgjësuar edhe pasuri në objektet e xhamive”, thuhet në njoftim.

Që nga deponimi i denoncimeve, policia në vazhdimësi ka ndërmarrë një varg veprimesh hetimore e operative me qëllim të ndriçimin e rrethanave të ngjarjeve si dhe identifikimin e të implikuarve.

“Progresi i hetimit të rasteve rezultoi me identifikimin dhe arrestimin e dy të dyshuarve; J. H, mashkull, 31 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe, L. K, mashkull, 33 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, të cilët me rekomandimin e prokurorit të shtetit u dërguan në mbajtje prej 48 orësh”, ka njoftuar policia.

Ndaj tyre u iniciua një hetim në drejtim të veprave penale “Vjedhja:, “Vjedhja e Rëndë” si dhe “Asgjësim apo Dëmtim i pasurisë”.

Kurse në rastin tjetër dje rreth orës 14:00 nga hetuesit e Drejtorisë së policisë së Kryeqytetit është shqiptuar masa e arrestit ndaj të dyshuarit A. C, mashkull, 24 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, nën dyshimin e arsyeshëm për implikim në së paku shtatë raste të vjedhjeve të ndodhura në muajt shkurt dhe mars të këtij viti.

“Me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, dhe ndaj tij është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale të vjedhjes”, ka njoftuar policia. /Telegrafi/

Exit mobile version