Kryeministri i vendit, Albin Kurti sërish ka folur rreth vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se në SHBA nuk mund të kesh takim më të rëndësishëm për sigurinë se me këshilltarin Jake Sullivan.
Ai tha se me këshilltarin për siguri kombëtare në SHBA, Jake Sullivan është takuar në Shtëpi të Bardhë dhe beson se për këtë dilemat i ka hequr edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
“Takim më të rëndësishëm në SHBA për çështje të sigurisë nuk mund të kesh se me këshilltarin Jake Sullivan dhe atë në Shtëpi të Bardhë… Pra dilemat besoj se ua ka hequr edhe ambasadori amerikan, e nëse dikujt prej juve nuk ua ka hequr dilemat as ambasadori amerikan më duhet të pranoj se e kam vështirë të ju ndihmojë”, tha Kurti para gazetarëve.
Ai bëri të ditur se vizitën në SHBA e ka realizuar pas tetë vjetësh dhe ka pasur numrin më të madh të takimeve që mund të realizoheshin fizikisht.
“Kam pasur takimet më të mira për qëllimet që kam pasur, për investime dhe siguri”, tha ai, duke shtuar se takimet i zhvillon varësisht qëllimeve që ka.
Ndryshe, një ditë më parë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier është deklaruar rreth raportimeve se kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit në SHBA nuk ishte pritur në Shtëpinë e Bardhë nga këshilltari për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, por jashtë Shtëpisë së Bardhë dhe në korridore.
“]
Ambasadori amerikan në një postim në Twitter është shprehur i zhgënjyer me raportimet e pasakta në lidhje me vendndodhjen e takimit Kurti-Sullivan.
Se takimet e nivelit të lartë ishin mbajtur edhe në të kaluarën, ka përmendur takimin Thaçi-Biden në vitin 2010.
Ai shkruan se takimet e nivelit të lartë dhe ato komplekse mbahen rregullisht në Zyrën ku Sullivan takoi Kurtin. /Telegrafi/