Telegrafi

Vizita e shtatë në Izrael e Blinkenit, Netanyahu nuk bindet për armëpushim: Lufta nuk do të ndalet në Gaza

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i tha sot Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken se ai nuk do të pranojë një marrëveshje që përfshin përfundimin e luftës në Rripin e Gazës.

Sipas zyrtarëve të lartë amerikanë dhe izraelitë, Netanyahu tha në takimin me Blinken se nëse Hamasi këmbëngul për t’i dhënë fund luftës, marrëveshja nuk do të pranohej.

Ai gjithashtu theksoi se pushtimi i qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës do të ndodhë dhe se operacioni nuk varet nga asgjë, raporton Times of Israel.

Më parë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, njoftoi se Blinken përsëriti në bisedën e tij me Netanyahun se SHBA-të kundërshtojnë sulmin e planifikuar izraelit në qytetin e mbipopulluar Rafah në jug të Rripit të Gazës.

Më herët gjatë një takimi me presidentin izraelit, Isaac Herzog, Blinken tha se “tani është koha” për një marrëveshje me Hamasin për lirimin e pengjeve dhe një armëpushim. Ai deklaroi se një marrëveshje e tillë do të lejonte hyrjen e barnave, ushqimeve dhe ujit të nevojshëm në Gaza.

Vizita e Blinkenit në Izrael vjen një muaj pasi presidenti amerikan, Joe Biden paralajmëroi Netanyahun se politika e Uashingtonit mund të ndryshojë nëse Izraeli nuk ndërmerr hapa për të shmangur dëmtimin e civilëve, vuajtjet humanitare dhe për të garantuar sigurinë e punonjësve të organizatave humanitare.

SHBA dhe partnerët arabë i kanë bërë thirrje Izraelit të bëjë më shumë për të lehtësuar rrjedhën e ndihmave në mes të një krize humanitare në rritje në enklavë, ku shumica e njerëzve kanë mbetur të pastrehë dhe përballen me mungesën e ushqimit dhe ujit dhe infrastrukturën e shkatërruar.

Ndryshe, kjo është vizita e shtatë e Blinkenit në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi. Që atëherë, më shumë se 34 mijë palestinezë janë vrarë, ndërsa rreth 1200 njerëz u vranë në sulmin e Hamasit më 7 tetor. /Telegrafi/