Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Gabriel Escobar, njëherësh i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, janë duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Kosovë.
Të hënën, ata zhvilluan takime me presidenten Vjosa Osmani si dhe kryeministrin Albin Kurti, në këto takime u rikonfirmua edhe një herë mbështetja për dialogun me Serbinë.
Dyshja pohoi se BE dhe SHBA po punojnë bashkërisht sa i përket dialogut në Bruksel dhe mënyrës se si ai do të vazhdojë në të ardhmen.
Lidhur me këtë ka folur Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Në një deklarim ka për Telegrafin ka thënë se vizita e tyre tregon se BE dhe SHBA janë bashkë në procesin e dialogut.
“Vizita e përbashkët e Escobar dhe Lajçak tregoj edhe një herë së BE dhe SHBA janë bashkë në procesin e dialogut, dhe bashkarisht e mbështesin përpjekjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe përpjekjeve për arritjen e marrëveshjes finale sa më shpejtë mes dy vendeve. Ne i pamë edhe dy kërkesat e zyrtarëve, të cilat ishin që pala kosovare të zotohet për vazhdimin e dialogut, dhe te shtojë përpjekjet e saj për arritjen e marrëveshjes me Serbinë”, tha ajo.
Sipas Haxhollit viti 2022 do të jetë dinamik sa i përket procesit të dialogut.
“Pritet që pas kësaj vizite të rritën përpjekjet për organizimin e një takimi të nivelit të lartë politik, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, dhe ky takim të ndodhë para zgjedhjeve në Serbi. Nuk pritet ndonjë zhvillim shumë madh për dialog gjatë pjesës së parë të këtij viti, por ndoshta dinamika do të shtohet pas përfundimit të procesit zgjedhor në Serbi, për dialogun ky vit do të jetë dinamik, pasi që edhe interesimi i përkrahësve të dialogut është që të arrihet sa më shpejtë një marrëveshje finale”, u shpreh ajo.
Ndërsa, analisti politik Afrim Hoti duke komentuar vizitën e Escobar dhe Lajçak në Kosovë, pohoi se vizita e tyre shënon interesim të jashtëzakonshëm për procesin e dialogut.
“Definitivisht është një mesazh i mirë, sepse bashkimi i SHBA-së me Evropën për problematikën e Kosovës është i domosdoshëm. Vizita e këtyre dy personaliteteve shënon një interesim shumë të jashtëzakonshëm që t’i jap sa më shpejtë që është e mundur epilog problematikës mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi ai për Telegrafin.
Hoti shtoi tutje së vizita mund të sjell dinamizëm të fuqishëm në procesin e dialogut.
“Pas kësaj vizite pres një dinamizëm shumë të fuqishëm të procesit në mënyre që nëse ka vullnet edhe nga Republika e Serbisë edhe nga Republika e Kosovës, atëherë me shpresë që në fund të këtij viti të kemi marrëveshjen përfundimtare”, potencoi Hoti.
Ndryshe, Escobar pas takimit që ka pasur ditën e hënë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do ta afrojë më shumë Kosovën drejt Bashkimit Evropian dhe komunitetit trans-atlantik.
Gabriel Escobar ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-së për Kosovën.
“SHBA fuqimisht mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. E keni treguar se jeni partner solid, mik i mirë dhe ju falënderojmë për këtë”, deklaroi Escobar.
Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me Escobar dhe Lajçak, ka deklaruar se janë të angazhuar në procesin e dialogut me Serbinë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e mbështet dhe është ë angazhuar në procesin e bisedimeve në Bruksel për dialogun parimor e të balancuar nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve. Ne jemi të vendosur që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria tërë kohën dhe kudo të ngelen të pacenuara nga çfarëdo përpjekje e ndokujt”, ka pohuar Kurti.
Vizita e diplomatëve vjen pasi Kosova dhe Serbia, qysh në korrik të vitit 2021, nuk kanë zhvilluar asnjë rund bisedimesh në nivel të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. /Telegrafi/