Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, në një intervistë për Telegrafin ka folur për numrin e madh të aksidenteve në Kosovë, faktorët që ndikojnë në këto aksidente dhe rrugët më kritike ku po humbin jetën qytetarët.
Dedaj gjatë intervistës ka përmendur edhe disa nga masat që duhet ndërmarrë në mënyrë që të parandalohen aksidentet me fatalitet.
“Sa i përket janarit është një muaj i veçantë i stinës së veçantë që neve na paraqet rrezikshmëri më të lartë të drejtimit të automjeteve. Për shkak të ndryshimit të kushteve atmosferike dhe kushteve të rrugës edhe si zakonisht shpejtësia është ajo elementi i përhershëm i paraqitjes së rrezikut të aksidentet me fatalitete. Këto janë tri elementet kryesore në janar, pa i përmend ato elementet pasive sikurse është rripi i sigurisë p.sh, sa i përket pastaj pajisjeve dimërore, pastaj vjen aktivizimi i sistemit të frenimit etj, Por e dimë se nëse nuk ka masa preventive zakonisht do të na paraqiten aksidente edhe në muajin janar, në bazë të karakteristikave teknike”, ka thënë ai.
Dedaj përmendi faktorët të cilët ndikojnë drejtpërdrejtë në aksidente.
“Janë faktori njeri, faktori rrugë, faktori automjet, faktori incident që është prezent në janar, është edhe faktori komunikacioni në rrugë që është i përhershëm, për shkak se drejtuesit e automjetit nuk i kanë njohuritë e mjaftueshme sa i përket sigurisë të komunikacionit rrugor , kjo është ajo si faktor kryesor dhe na shkaktojnë aksidentet në këtë muaj”, theksoi ai.
Eksperti i komunikacionit, tregoi se cilat janë rrugët më kritike ku po ndodhin aksidente me fatalitet.
“Duke pasur parasysh që Kosova i ka rrugët e kategorizume dhe në bazë të kategorive të rrugës e shohim që aksidente më së shumti ndodhin në rrugë nacionale, aty ku qarkullimi i automjeteve është në dy kahje të kundërta të lëvizjes, me dy shirita të qarkullimit, aty kemi rrezikun më të madhin. Pastaj vinë autoudhat, aty kemi një numër të madh të aksidenteve, mirëpo ato aksidente me fatalitet ndodhin në rrugë nacionale dhe regjionale”, tha ai.
Dedaj tha se rrugët lokale dhe qytete janë në vendin e katërt sa i përket aksidenteve me lëndime ose fatalitet./Telegrafi/