Site icon Telegrafi

Viti 1972: Viti i mbrapshtë

Pamje nga masat e karantinës së vitit 1972

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1972?

Në Kosovë shpërthen epidemia e Variola Verës, që në popull njihet si lija e keqe. Shumica e njerëzve me këtë sëmundje u shëruan, por afërsisht tre nga çdo 10 persona të infektuar, vdiqën. Të mbijetuarit nga kjo sëmundje mbetën me plagë të përhershme mbi zona të mëdha të trupit, veçanërisht në fytyrë. Disa madje u verbëruan. Përmes vaksinimit, sëmundja u zhduk në vitin 1980. Besohet se me të u infektua një pelegrin shqiptar, që në Lindje të Mesme kishte vizituar vendet e shenjta. Dyshohet po ashtu se Variola erdhi nga Beogradi. Thuhet se 35 vdiqën në Kosovë. Për mbrojtje, u imponua edhe karantina. Për këtë ngjarje u bë filmi “Variola Vera”, me regji të Goran Markoviqit. Në të paraqitet një pelegrin, që blen nga një arab një fyell.

Dy policë gjermanoperëndimorë, të armatosur me automatikë dhe të veshur me tuta, marrin pozicion në çatinë e ndërtesës ku terroristët e armatosur palestinezë mbanin peng anëtarët e ekipit olimpik të Izraelit (foto: AP, 5 shtator 1972)

Po më 1972, Shqipëria merr për herë të parë pjesë në Lojërat Olimpike Verore, në Munih të Gjermanisë. Në këto lojëra do të ndodhë ajo që njihet më vonë si Masakra e Munihut: terroristët palestinezë sulmojnë përfaqësuesit e ekipit olimpik izraelit. Anëtarët e organizatës palestineze, Shtatori i Zi, pushtojnë fshatin Olimpik më 5 shtator dhe marrin peng 11 atletë dhe trajnerë izraelitë, dy prej të cilëve vdesin në dy orët e para të aksionit. Shtatori i Zi e quajti operacionin “Ikrit dhe Biram”, sipas dy fshatrave të të krishterëve palestinezë, banorët e të cilave u vranë ose u dëbuan nga forcat e Izraelit në vitin 1948. Autoritetet gjermane u përpoqën të lironin pengjet tjera, por pa sukses. Gjatë operacioni u vranë nëntë pengje, pesë terroristë dhe një polic. Në veprimet hakmarrëse të ndërmarra nga izraelitët ndaj personave që ishin të lidhur me masakrën, u vranë edhe disa persona tjerë, dy prej të cilëve ishin të pafajshëm.

Waldheim (i dyti nga e majta), gjenerali Artur Phleps (me çantë) dhe të tjerë në aeroportin e Podgoricës në Mal të Zi më 22 maj 1943. Kjo fotografi shkaktoi shumë polemika kur u publikua, kur Waldheim konkurronte në zgjedhjet presidenciale austriake të vitit 1986

Më 1 janar 1972, Kurt Waldheim emërohet Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Në vitet ’80 të shekullit të kaluar, një lajm për të trondit botën: Kurt Waldheim, ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, që këtë post e ushtroi në dy mandante (1972-1981), ishte bashkëpunëtor dhe oficer i lartë nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, përgjegjës për krime! Hakif Bajrami, historian nga Kosova, ishte ndër ata historianë që hodhi njolla ndaj figurës së këtij diplomati, të nderuar e të dekoruar nga personalitete të shumta botërore. Këto lajme kanë dalë pikërisht në kohën kur Bajrami ishte kryetar i Komisionit të Historianëve që merreshin me shkrimin e historisë së Partisë Komuniste të Kosovës. Bajrami atëbotë është thënë se kishte lejen e Ali Shukriut – komunistit luajal i politikës serbe – për të hulumtuar arkivat e Beogradit. Ndaj, ende ekzistojnë dyshimet se publikimet që ndërlidhen me figurën e Waldhemit, i ishin servuar Bajramit për interesa të politikës së asaj kohe, pikërisht në kohën kur ish-Sekretari i OKB-së vazhdonte karrierën politike si president i Austrisë. Më 7 shkurt të vitit 1988, Agjencia Telegrafike Hebraike (JTA) raporton se Waldheim ka marrë pjesë në ekzekutimin e 104 shqiptarëve më 1944. Por, historianët gjermanët që nisën të hulumtojnë të kaluarën e Waldheimit, nuk mundnin të gjenin dokumentet që e ndërlidhin atë me deportimin e civilëve të ish-Jugosllavisë në kampet e punës dhe të vdekjes. Zyra e Waldheimit (Presidenca austriake), siç raportonte JTA, ka mohuar këto akuza që janë publikuar edhe nga javorja gjermane “Der Spiegel”. Bajrami, që ishte drejtor i Arkivit të Kosovës, thoshte se i ka dokumentet, por nuk i ofronte. Bajrami po ashtu kishte refuzuar të bashkëpunonte me një komision ndërkombëtar të historianëve, të formuar nga Austria, për të hulumtuar të kaluarën ushtarake të Waldheimit. Një gjë dihet: në Arkivin e Kosovës ekziston dokumentacioni i mediave të dikurshme serbe (p. sh. “Politika”), ku si armik kryesor i interesave serbe përmendet Austria, sepse ishte pikërisht ky shtet që luftonte për interesat e shqiptarëve.

E Diela e Përgjakshme

Në vitin 1972 ndodhë edhe një masakër tjetër: Ushtria britanike vret 13 marshues të paarmatosur në Deri të Irlandës Veriore. Ngjarja sot njihet si E Diela e Përgjakshme, për të cilën grupi U2 ka kënduar një këngë me këto vargje: “Dhe është e saktë se kemi imunitet / Derisa fakti është fiksion e TV realitet / Edhe sot miliona dënesin / Ne jemi shend e verë e ata edhe të nesërmen vdesin / Beteja e përnjëmendtë sapo ka filluar / Për të pohuar ngadhënjimin Jezui ka fituar / Një të diele, të diele të përgjakshme / Të diele, të diele të kobshme”. Por, më 1972 ndodhë edhe fatkeqësia e madhe apo Ikiza: vrasjet masive, shpeshherë të cilësuara si gjenocid, të cilat u kryen në Burundi më 1972 nga tutsit – që dominonin ushtrinë dhe qeverinë – kundër hutuve të arsimuar dhe elitarë që jetonin në vend. Vlerësohet se u vranë deri në 300 mijë persona. Ndërkaq, diktatori i Ugandës, Idi Amini, shpalli dëbimin e 50 mijë aziatikëve nga vendi. Sikur këto të këqija të mos mjaftonin, presidenti pakistanez Zulfikar Ali Bhutto shpall programin e Pakistanit për armët bërthamore.

Perandori i vetëshpallur Bokassa

Po më 1972, një i çmendur me emrin Jean-Bédel Bokassa, bëhet president i Republikës Qendrore Afrikane dhe vendin do ta fusë në kaos. Më 1976 e shpall veten perandor. Jetimi i shkolluar në një mision fetar, ishte ushtarak trim, por miqtë thonë se ishte shumë budalla. Ceremonia e shpalljes perandor sipas modelit të heroit të tij, Napoleonit, kushtoi 80 milionë dollarë dhe kjo e çoi vendin e varfër në falimentim. Vetëm kurora e artë kushtonte 20 milionë dollarë. Pa i bërë tri vjet si “perandor”, francezët vendosën ta rrëzojnë nga pushteti. Por, çfarë ka bërë ky për popullin e vet? Në vitin 1979 arrestoi qindra fëmijë pasi nuk kishin blerë uniformat te një kompani në pronësi të një prej grave të tij; mbikëqyri procesin e masakrimit të 100 fëmijëve; kundërshtarët ua hidhte luanëve për ushqim; hante mish njeriu …

Krist Maloki mes studentëve, në Grac të Austrisë

Më 1972 vdesë shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi Nonda Bulka, si dhe dramaturgu i famshëm rumun që kishte origjinë shqiptare, Viktor Eftimiu. Veprat e Eftimiut janë përkthyer në shumë gjuhë tjera, ndërsa dramat dhe komeditë e tij janë vënë në skenë në shumë kryeqytete të botës. Më 1972 vdesë edhe poeti i famshëm Ezra Pound – një nga poetët më të mëdhenj modernistë në gjysmën e parë të shekullit XX, i njohur mirë si një nga themeluesit e lëvizjes poetike të imazhizmit. Por, ishte edhe kontrovers meqë kishte mbështetur fashizmin dhe aktivitetet propagandistike të fuqive të Boshtit në Luftën e Dytë Botërore. Po më 1972, në Grac të Austrisë vdesë edhe studiuesi dhe publicisti nga Kosova, Krist Maloki. Në vitin 1962 Maloki vizitoi Shqipërinë “me mendimin se, me të dalë në pension, ai mund të shkonte bashkë me të shoqen në Shqipëri”. Ai i pati rrëfyer se “në Grac jetonte i izoluar, dhe se dëshironte të kalonte pensionin në Shqipëri, ku kishte shokë të shkollës, si Eqrem Çabejn”. Miqësinë me këtë të fundit e kishte filluar në vitet 1930, kur të dy studionin në Grac. Në fund të viteve 1930 të dy kishin dalë në shtypin e specializuar shqiptar me shkrime në lëmin e kritikës letrare dhe për vendin e Shqipërisë midis Lindjes dhe Perëndimit. Një raport i CIA-s sjell një bisedë midis Krist Malokit dhe Spiro Kolekës, udhëheqës i lartë komunist. Në atë kohë, në rend të ditës shtrohej pyetja se nga do të anonte Shqipëria: kah Lindja apo kah Perëndimi? Maloki thotë se “Shqipëria nuk mund të jetonte me prodhimet e veta sepse ishte vend malor … Po të çelni toka të reja ju do të shkatërroni kullotat malore, sepse të punosh tokën në mal dhe kodër do ta rrezikonte atë nga shirat dhe erozioni … Shqipëria duhet të fuqizojë blegtorinë dhe ta lidhë ekonominë e saj me Evropën Perëndimore…”. Gjatë udhëtimit Maloki “vizitoi disa qytete në Shqipëri, duke vërejtur se, me gjithë progresin e arritur, populli jetonte në një regjim terrori dhe frike”. Nga kjo vizitë, me këshillat e françeskanit Justin Rrota, ai dekurajohet që të jetojë në Shqipëri. Po ashtu, jetën në Tiranë nuk ia donte as gruaja. Kështu dështon Shqipëria komuniste për ta bërë për vete këtë intelektual të çmuar që vlerësohej në Kosovë.

Më 1972 vdesë edhe presidenti i 33-të amerikan, Harry S. Truman. Mbahet mend për lejimin e përdorimit të bombës atomike në Hiroshimë dhe Nagasaki. Trumani e fitoi fituar luftën ndaj Japonisë. Disa thonë se bomba atomike e frikësoi Josip Stalinin e BRSS-së, gjë që frenoi ambiciet e tij për ta pushtuar Japoninë.

Vesna Vuloviq në spital

Më 1972 arrihet një rekord i çuditshëm Ginisi: stjuardesa jugosllave Vesna Vuloviq, është e vetmja e mbijetuar nga aeroplani që shkatërrohet nga një shpërthim bombe, mbi ajrin e Çekosllovakisë. Ajo mbijetoi edhe pse aeroplani bie nga lartësia prej mbi 10 mijë metrave. Kështu mban rekordin e Ginisit për mbijetesë nga rënia nga lartësia më e lartë, pa parashutë. Thuhet se shpëtoi meqë ishte e lidhur për karrigen në radhët e fundit të aeroplanit që, pas shpërthimit, mbeti lidhur për pjesën e tualetit dhe bie në një mal të mbuluar nga bora. Rekord shënon edhe vetura Volkswagen Beetle (Buba) që tejkalon shitjet e Modelit T të Ford-it. Deri në shkurt 1972, prodhimi i kësaj veture arrin në numrin 15 007 034. Po në shkurt të të njëjtit vit, presidenti amerikan Richard Nixon nisi vizitën tetëditore në Republikën Popullore të Kinës ku takon Mao Zedongun. Ndërsa, Bobby Fischer mund rusin Boris Spassky në Reikjavik të Islandës dhe bëhet kampioni i parë amerikan i shahut në botë. Edhe për këtë ballafaqim është realizuar një film. Fischer ishte hero i ri amerikan, por më 1992 bën një gabim të madh: ballafaqohet me Spasskyn në Shën Stefan të Malit të Zi, duke thyer sanksionet e OKB-së ndaj asaj që quhej Jugosllavi. Amerikanët lëshojnë fletarrest për të dhe ai nuk kthehet më në ShBA.

Vajza Afgane më 1984 dhe më 2021

Më 1972 lindi Sharbat Gula që do të njihet më vonë si Vajza Afgane, sipas portretit të famshëm që fotografi amerikan Steve McCurry bën për revistën “National Geographic”. Fotoja realizohet në një kamp të refugjatëve afganë që kishin ikur nga lufta kundër sovjetikëve. Gula ishte 12 vjeçe. Më 1972, fotografi tjetër i luftës, Nick Ut që raportonte nga Lufta e Vietnamit, fiton çmimin Pulitzer për foton që njihet si Vajza e Napalmit dhe që publikohet nga agjencia “Associated Press”. Në foto shihet nëntëvjeçarja Phan Thi Kim Phuc, e tmerruar teksa vrapon lakuriq rrugëve pas djegies me napalm.

Më 1972 lindin aktorët Jude Law, Gwyneth Paltrow, Idris Elba, Cameron Diaz, Ben Affleck, Sofía Vergara; futbollisti Zinedine Zidane dhe këngëtari Eminem. Më 1972 lindi edhe luftëtari i UÇK-së, Adrian Rexhep Krasniqi, që vritet gjatë një aksioni të sulmit ndaj postës policore serbe në Kliçinë, më 16 tetor të vitit 997. /Telegrafi/

Vajza e Napalmit
Exit mobile version