Site icon Telegrafi

Vidhte kasafortat në biznese e banesa në Tiranë, arrestohet 57-vjeçari

Policia ka bërë të ditur se ka vënë në pranga një 57-vjeçar, i cili dyshohet si autor i 5 vjedhjeve në banesa e biznese në Tiranë.

“Finalizohet nga Komisariatet e Policisë Nr. 2 dhe Nr. 3., operacioni policor i koduar “Safe Box”.

Vidhte para nga kasafortat e bizneseve dhe të banesave, vihet në pranga 57-vjeçari, i dënuar më parë për vjedhje.

Zbardhen 5 raste të vjedhjes së shumave të parave, të kryera nga ky shtetas, gjatë muajve të fundit.

Sekuestrohen disa nga sendet e forta të cilat ky shtetas dyshohet se i përdorte për të hapur kasafortat.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin “Safe Box”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi:

– R. H., 57 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas:

-më datë 16.02.2025, ka vjedhur 1200 euro nga kasaforta e një biznesi në rrugën “Abdyl Frashëri”;

-më datë 02.02.2025, ka vjedhur 300 000 lekë nga kasaforta e një subjekti në rrugën “Reshit Çollaku”;

-më datë 13.12.2024, ka vjedhur 370 800 lekë nga kasaforta e zyrës së një kompanie;

-më datë 10.11.2024, ka vjedhur një shumë të konsiderueshme parash në një banesë në Rrugën e Dafinave;

-më datë 19.09.2024, ka vjedhur një shumë parash në zyrat e një kompanie, në rrugën “Abdyl Frashëri”.

Gjatë kontrollit në banesën e 57-vjeçarit, shëbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan disa nga sendet që ai dyshohet se ka përdorur për hapjen e kasafortave.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Exit mobile version