Site icon Telegrafi

Videoja për Ivanoviqin, Konjufca: Mendimi im dhe i kryeministrit është i njëjti, ai është kriminel

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar sot në Kuvend lidhur me videon e kryeministrit Albin Kurti, ku flet për ish politikanin e vrarë Oliver Ivanoviq.

Konjufca tha se mendimi i tij dhe i kryeministrit për Ivanoviqin është i njëjtë dhe se ai është kriminel.

“Mendimi im edhe i kryeministrit për Ivanoviqin është i njëjti, ai që ka qenë gjithmonë. Asgjë nuk mund ta ndryshojë biografinë politike të tij, në të gjitha dëmet që i janë shkaktuar popullit tonë është evidente. Dhe për këtë ai është dënuar”, u shpreh Konjufca, raporton Telegrafi.

Kryeparlamentari tha se atë e kanë quajtur haptas me emrin që i përket një njeriu që përbën veprime të tilla dhe ai është dënuar dhe kualifikuar me kategorinë e kriminelit.

“Ky është edhe mendimi jonë. Po po, kriminel, pa kurrfarë dyshimi. Tash asgjë nuk mund t’i heq kësaj që e ka vendosur gjyqësia e Kosovës, me sa e di unë… Ne e kemi thënë më përpara se sa ta vendoste gjyqësia këtë çështje. Nuk po kuptoj pse po humbim kohë për këtë”, ka thënë Konjufca para deputetëve të enjten.

Lexo po ashtu KMDLNj: E kundërshtojmë ashpër adresimin e kryeministrit Kurti në përvjetorin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

E pas Konjufcës, siç njofton Telegrafi, reagoi shefi i Grupit parlamentari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

“Unë pajtohem me deklarimin tuaj, por problemi është se në videon e publikuar nga kryeministri i vendit”, u shpreh Gashi, duke shtuar se Kurti në video e tij të publikuar thotë se ‘Oliver Ivanoviq luftoi për qytetin e tij’.

Sipas Gashit, lufta e Ivanoviqit për qytetin e tij është maskara e shqiptarëve.

Lexo po ashtu Abazi reagon pasi Kurti i 'thuri lavde' Ivanoviqit në pesë vjetorin e vrasjes

“Edhe pasojat e luftës së Ivanoviqit për qytetin e tij është maskara ndaj shqiptarëve për të cilën është dënuar 9 vjet”, tha më tej deputeti i LDK-së.

E lidhur me këtë sërish foli Konjufca, duke thënë se Ivanoviqi ishte udhëheqës i të ashtuquajturës “Rojat e urës”, të cilët ishin strukturë kriminale.

“Mendimi im është se kryeministri vetëm ka dashur të thotë se ai njeri është vrarë prej Aleksansar Vuçiqit…”, tha kryeparlamentari. /Telegrafi/

Exit mobile version