Nëse jeni duke pasur probleme në dhomën e fjetjes, atëherë nuk jeni i pari. Sipas statistikave, rreth 60% e meshkujve kanë probleme të kenë ose ta mbajnë ereksionin gjatë seksit gjatë një faze të jetës së tyre
Veç kësaj, rreth 30% e meshkujve kanë raportuar se kanë qenë nën moshën 40-vjeçare kur kanë pasur për herë të parë probleme me ereksion.
Një numër i faktorëve mund të jetë përgjegjës për sabotimin e aftësive tuaja seksuale. Disa prej tyre janë jashtë kontrollit, e disa tjera janë të ndërlidhura me anën psikologjike dhe stilin e jetesës, transmeton Telegrafi.
Nëse jeni duke pasur probleme të tilla, me siguri se ju ka shkuar ndër mend të përdorni viagra. Por, çfarë dini për këtë pilulë?
Fillimisht, a duhet të përdorni viagra?
Pasi që simptomat e disfunksionit erektil mund të jenë të ndryshme, është paksa vështirë të sugjerohet.
Sidoqoftë, nëse vazhdimisht jeni duke pasur vështirësi të keni ose të mbani ereksion atëherë mund të përdorni viagra, por jo atëherë kur vetëm herë pas here keni probleme.
Paraprakisht duhet të keni parasysh se shumë probleme shëndetësore mund të shkaktojnë probleme me ereksion, duke përfshirë stresin, alkoolin, drogat rekreacionale, lodhja, etj.
Si ndikon viagra?
Disfunksioni erektil kryesisht shkaktohet nga ngushtimi apo bllokimi i artereve të cilat e bartin gjakun në penis, e këtu viagra kundërreagon.
Viagra përmban diçka që quhet sildenafil, i cili funksionon duke parandaluar veprimin e një kimikale në trupin tuaj që quhet fosfodiesterasi tipi 5.
Kjo i relakson enët e gjakut dhe e përmirëson qarkullimin e gjakut në penis pas stimulimit seksual, gjë e cila ju ndihmon ta mbani dhe arrini ereksionin.
Sa shpejt funksionon viagra dhe sa zgjatë?
Pavarësisht miteve rreth kësaj pilule, viagra nuk ju sjell ereksion të menjëhershëm dhe nuk funksionon përveç nëse jeni të stimuluar seksualisht.
Sidoqoftë, mund të fillojë të funksionojë brenda vetëm 30 minutave.
Për ta shijuar maksimumin e kësaj pilule, ju dhe partneri duhet të angazhoheni në paralojë.
Ndërkaq sa i përket zgjatjes së ereksionit, zakonisht largohet pasi ta keni kryer marrëdhënien seksuale. Megjithatë, nëse eksitoheni menjëherë pasi e keni kryer aktin seksual, atëherë viagra mund t’ju mundësojë ta keni edhe një ereksion tjetër deri në katër orë pasi ta keni përdorur pilulën.
A sjell rreziqet përdorimi i viagrës?
Po, viagra ka efekte anësore – ndër ankesat më të zakonshme përfshihet dhimbja e kokës, skuqja, marramendja, bllokimi i hundës, problemet me shikim, etj. – por këto ndodhin te më pak se një në 10 meshkuj.
Sidoqoftë, nëse ereksioni zgjatë më gjatë se katër orë dhe keni dhimbje në gjoks apo humbje të papritur të pamjes, menjëherë shkoni te doktori. /Telegrafi/