Klienti i një hoteli në Beverly Hills në Shtetet e Bashkuara, është nervozuar me punonjësin të cilit ia kishte dhënë veturën luksoze që ta parkonte, ndërsa e zuri duke bërë xhiro.
Joshua J Anderson ishte duke qëndruar në pjesën e restorantit, kur e pa Lamborghinin e tij me tavan të hapur, që vozitej nëpër qytet nga punonjësi, transmeton Telegrafi.
“Kishte hapur të gjitha dritaret dhe voziste me një buzëqeshje të madhe në fytyrë, me veturën time të cilës mund t’i shkaktonte ndonjë dëmtim” ka thënë Anderson.
Meqenëse e viziton shpesh atë hotel, ndërsa ia ka dhënë veturën të njëjtit punonjës, beson se ai ka vepruar njëjtë edhe në rastet tjera. Të pyetur për veprimin e të angazhuarit që t’i parkojë veturat, zyrtarët e hotelit nuk kanë dashur të përgjigjen.
Megjithëse u konfrontua me të, Anderson që ka një fabrikë legale për përpunim të kanabisit, ka thënë se nuk do të ankohet lidhur me ngjarjen. /Telegrafi/