Site icon Telegrafi

Vetura godet dy këmbësorë në Lipjan, zyrtari policor detyrohet të përdorë edhe armën

Mesditën e së hënës një incident i rëndë ka ndodhur në qytetin e Lipjanit, ku për pasojë një automjet ka shkaktuar aksident duke goditur dy këmbësorë pranë stacionit të policisë së këtij qyteti.

Rasti është bërë i ditur zëdhënësja e Policisë Flora Ahmeti.

Ajo tha se katër të dyshuar janë arrestuar dhe po intervistohen.

“Sot rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për një rrahje në fshatin Rusinovc të Lipjanit. Në rast kanë qenë të përfshirë disa persona, ku njëri nga ta është lënduar”.

“Personat e dyshuar kanë vazhduar mosmarrëveshjen edhe në afërsi të stacionit të policisë në Lipjan, ku njëri nga personat e dyshuar me automjet ka goditur qëllimisht dy persona, të cilët kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor”.

“Përgjatë përpjekjeve për të menanaxhuar dhe futur nën kontrollë situatën një nga zyrtarët policor ka shtënë në ajër Lidhur me këtë rast në cilësinë e personave të dyshuar po intervistohen katër persona, ndërkohë që hetuesit në koordinim me prokurorinë dhe IPK-në po kryejn veprimet e nevojshme hetimore”, tha Ahmeti.

Gjatë ngjarjes, një zyrtar policor ka qenë i detyruar të përdorë armen e shërbimit.

Zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka, deklaroi se gjuajtja me armë nga ana e zyrtarit policor ka qenë një masë parandaluese në përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës mes disa personave të dyshuar.

“Duke u referuar kërkesës suaj, IPK ju konfirmon se është njoftuar nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin në Lipjan ku dyshohet se është përdorur arma zyrtare për të parandaluar një përplasje fizike mes disa të dyshuarve. Informacionet fillestare tregojnë se zyrtari ka qëlluar në ajër si mjet parandalimi të incidentit,” shpjegoi Beka.

Beka shtoi se deri më tani nuk ka raportime për persona të lënduar si rezultat i përdorimit të armës.

“Hetuesit e IPK-së do të mbërrijnë në vendngjarje dhe do të kryejnë hetime në përputhje me procedurat ligjore. Veprimet e mëtejshme do të ndërmerren bazuar në autorizimet që ofron ligji,” përfundoi ai.

Ngjarja po trajtohet me seriozitetin e duhur dhe priten më shumë detaje pas përfundimit të hetimeve paraprake./Telegrafi/

Exit mobile version