Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se si pasojë e reshjeve të fundit të shiut gjatë ditëve të fundit, sidomos në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të Kosovës, disa lumenj kryesisht ata me karakter të rrëkeve kanë paraqitur disa vërshime të shpejta.
IHK njofton se vërshimet e shpejta nëpër disa segmente të lumenjve kryesorë janë shkaktuar edhe përmbytje të lokalizuara lumore, të cilët mund të kenë shkaktuar vështirësi dhe probleme, si në rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve dhe vështirësi të qarkullimit, por edhe përmbytje të tokave bujqësore.
Instituti bën të ditur se situata e vështirësuar hidrometeorologjike, pritet që të vazhdojë dhe gjatë ditëve në vijim, prandaj edhe nivelet dhe prurjet e lumenjve, pritet të ngritën dhe të shkaktojnë vërshime/përmbytje.
Ndryshe, reshjet e shiut që kanë filluar të bien gjatë ditës së sotme, kanë nisur të shkaktojnë shumë probleme në disa komuna.
Në qytetin e Pejës, disa rrugë dhe lokale rrezikohen nga përmbytjet si pasojë e sasisë së madhe të ujit.
Në rrugën “Bill Klinton” në Pejë, qytetarët shihen duke bërë përpjekje që të parandalojnë depërtimin e ujit nga kanali i hapur.
Lidhur me situatën drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Pejës, Gëzim Gashi ka thënë për Telegrafin se situata momentalisht është e menaxhueshme.
“Situata është e menaxhueshme për momentin. Shpresojmë që reshjet e shiut të ndalen”, ka thënë Gashi. /Telegrafi/