Site icon Telegrafi

Verifikimi i listave, 47 kandidatë për deputetë kanë problem me ligjin

Në përgjithësi janë 47 kandidatë nga rreth 1 080, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit.

Kështu ka bërë të ditur Valmir Elezi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Pas pranimit të këtyre përgjigjeve, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatisë Rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, raporton Telegrafi.

“Ju njoftoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tani ka pranuar përgjigjet nga: Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa; Këshilli Gjyqësor i Kosovës; Ministria e Punëve të Jashtme; dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Të gjitha këto institucione janë përgjigjur në kërkesat që kemi pasur për secilën prej tyre, e të cilat i kemi bërë të ditura në konferencën e së hënës. Këto institucione kanë kthyer përgjigje në kërkesën për konfirim të përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”.

“Nga përgjigjja që kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, rezulton se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për çertifikim kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, germën q, e cila specifikon se kandidat për deputetë nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1 080, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”, thuhet në njoftim.

Pas pranimit të këtyre përgjigjeve, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatisë Rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre.

Këto rekomandime do të paraqiten në mbledhje të KQZ-së.

Sipas Planit Operacional të miratuar nga KQZ-ja, rekomandimet do të bëhen gati gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, ndërsa KQZ-ja do të marrë vendim më së largu deri më 22 janar.

Gjithashtu, do të njoftohen subjektet politike, secila prej tyre, për përgjigjet që kemi pranuar nga institucionet, në mënyrë që të mund të bëjnë plotësimin e listës me kandidatë të tjerë, në rast se ndonjë kandidat nuk i ka plotësuar kriteret ligjore.

Në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk certifikohet, ai mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme nëse pala mund të jetë e pakënaqur me vendimin e PZAP-it.

Kjo periudhë e ankesa dhe e vendosjes është paraparë të përmbyllet deri më 31 janar. Pas saj, më 1 shkurt, pason tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve. /Telegrafi/

 

Exit mobile version