Ndeshjet e xhiros së fundit të Superligës së Kosovës për edicionin 2023/2024, janë mbyllur pa befasi, duke konfirmuar Llapin si të dytin.
Kjo, pasi Llapi fitoi thellë 5-1 në udhëtim te Liria dhe siguroi Ligën e Evropës.
“Këpucën e Artë” për këtë sezon e siguroi sulmuesi Muhamet Hyseni që shënoi dy gola dhe e mbyll kampionatin me 26 gola në total, një më shumë se Drilon Hazrollaj i Malishevës.
Drita barazoi 1-1 me Malishevën, ndërsa Gjilani dhe Feronikeli 74 i fituan ndeshjet që i patën në garën për barazh dhe tabela nuk ndryshoi.
Gjilani fitoi 4-2 në udhëtim te Dukagjini, ndonëse dy herë ishte në disavatazh. Feronikeli 74 nuk pati telashe në udhëtim te Fushë Kosova dhe fitoi 3-0.
Ballkani e mbylli kampionatin me fitore ndaj Prishtinës me rikthim të rezultatit (2-1).
Ballkani e mbyll kampionatin me 78 pikë në vendin e parë, ndërsa Llapi mbeti i dyti me 71 pikë. Drita në vendin e tretë me 66 pikë, kurse Malisheva e katërta me 57 pikë.
Ballkani do të luajë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, Llapi në Ligën e Evropës, kurse Drita e Malisheva në Ligën e Konferencës.
Prishtina në vendin e pestë mbetet me 49 pikë, Dukagjini me 45 në vendin e gjashtë, aq sa edhe Gjilani në vendin e shtatë.
Me një pikë më pak në vendin e tetë kampionatin e mbyll Feronikeli 74 që do të luajë në barazh me fituesin e ndeshjes Dinamo – Prishtina e Re.
Fushë Kosova me 20 pikë dhe Liria me 14 pikë ishin përshëndetur më herët nga elita e futbollit kosovar. /Telegrafi/