Site icon Telegrafi

Vera e ardhshme pritet të shënojë fundin e karrierës së Ibrahimovic

(Foto: Reuters)

Zlatan Ibrahimovic thuhet të ketë vendosur të pensionohet në fund të këtij sezoni.

Sulmuesi i Milanit është duke u rikuperuar nga operacioni në gju, të cilit iu nënshtrua në verën e kaluar.

41-vjeçari shpreson të kthehet në fushë në ndeshjen e 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve kundër Tottenham Hotspur.

Lexo po ashtu Ibrahimovic synon rikthimin në ndeshjen Milan-Tottenham

Sidoqoftë, ai pritet të mungojë në përballjen e parë që zhvillohet me 14 shkurt, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të jetë i gatshëm për sfidën kthyese në Londër më 8 mars.

Gazzetta dello Sport ka raportuar se Ibrahimovic ka vendosur të pensionohet në verën që vjen.

Pasi të largohet nga futbolli aktiv, ai pritet të marrë një rol ambasadori te Milani, ku ka luajtur në dy raste.

Zlatan e ka fituar pesë herë titullin e Seri A (tri herë me Interin dhe dy herë me Milanin). Ai e ka fituar edhe dy herë të tjera me Juventusin, mirëpo titujt iu morën Zonjës së Vjetër pas skandalit Calciopoli.

Njëherësh, Ibra i ka fituar dy tituj të Eredivisie me Ajaxin, La Ligan me Barcelonën dhe katër tituj të Ligue 1 me Paris Saint-Germain.

Gjatë karrierës së tij i ka shënuar 510 gola në 862 ndeshje, ndërsa trofeu i Ligës së Kampionëve mungon në sirtarin e tij në nivel klubesh. /Telegrafi/

Exit mobile version