Site icon Telegrafi

Venezuela akuzon CIA-n për përfshirje në komplotin për vrasjen e presidentit, vjen reagimi i SHBA-së

Departamenti Amerikan i Shtetit ka hedhur poshtë pretendimet për përfshirjen e CIA-s në një komplot të dyshuar për të vrarë liderin e Venezuelës Nicolas Maduro, pasi autoritetet venezueliane thanë se kishin arrestuar gjashtë të huaj, duke përfshirë një marins amerikan.

Departamenti i Shtetit i quajti akuzat “kategorisht të rreme”, duke shtuar në një deklaratë se Shtetet e Bashkuara “vazhdojnë të mbështesin një zgjidhje demokratike e krizës politike në Venezuelë”.

Komentet vijnë pasi Venezuela tha se kishte arrestuar gjashtë persona për një komplot të dyshuar për të “destabilizuar” vendin që ka qenë në krizë që nga zgjedhjet e diskutueshme në fillim të këtij viti.

Ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello pretendoi se komploti i supozuar drejtohej nga CIA dhe kishte për qëllim vrasjen e Maduros.

Akuza vjen pasi opozita e Venezuelës, shumë liderë të Amerikës Latine dhe Shtetet e Bashkuara refuzojnë të njohin fitoren e diskutueshme të Maduros në zgjedhje, e cila është pasuar nga protesta vdekjeprurëse.

Në një konferencë shtypi, Cabello identifikoi SEAL-in e supozuar të Marinës si Wilbert Castaneda dhe pretendoi se ai ishte udhëheqësi i operacionit.

Ministri përmendi gjithashtu dy amerikanë të tjerë të arrestuar: David Estrella dhe Aaron Barrett Logan, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Cabello tha se përveç amerikanëve, dy shtetas spanjollë – Jose Maria Basoa Valdovinos dhe Andres Martinez Adasme – dhe një shtetas çek, Jan Darmovzal, u arrestuan.

Autoritetet venezueliane kanë sekuestruar gjithashtu 400 pushkë amerikane të lidhura me komplotin e supozuar, tha ai.

“CIA është në ballë të këtij operacioni”, tha Cabello në konferencën për shtyp, duke pretenduar se Qendra Kombëtare e Inteligjencës e Spanjës ishte gjithashtu e përfshirë.

“Kjo nuk na habit aspak”, shtoi ai.

Ai pretendoi se operacioni kishte “objektiva shumë të qarta të vrasjes së presidentit Maduro” dhe politikanëve të tjerë të rangut të lartë venezuelas, duke përfshirë atë dhe zëvendëspresidentin.

Ndërkohë, Departamenti i Shtetit konfirmoi se një anëtar i ushtrisë amerikane ishte arrestuar në Venezuelë dhe se departamenti ishte “në dijeni të raporteve të pakonfirmuara të dy shtetasve të tjerë amerikanë të arrestuar” në vend. /Telegrafi/

Exit mobile version