Njëzetë vendet më të industrializuara të botës (G20) kanë miratuar një sistem të ri tatimor për të shmangur evazionin fiskal të kompanive ndërkombëtare.
G20-ta si dhe Bashkimi Evropian janë pajtuar për futjen e një sistemi të ri tatimor mbi fitimet e kompanive që operojnë në të gjithë botën. Ministri gjerman i Financave Olaf Scholz tha pas takimit në Venecia se është tejet i lumtur për këtë vendim, të cilin G20 e konsideron si historik.
Marrëveshjen e re për taksat e mbështesin edhe 131 vende anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD). Forca shtytëse e këtyre bisedimeve dhe e kësaj marrëveshjeje është sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, e cila ndryshe nga administrata e mëparshme e presidentit Donald Trump, mbështete bashkëpunimin ndërkombëtar. Po ashtu, ajo do t’i shmangë luftërat e mundshme tregtare me BE mbi çështjet e taksave.
Reforma botërore e taksave përbëhet nga dy shtylla. Shtylla e parë lidhet me të ashtuquajturin taksim në “vendin e origjinës”, që është në fuqi që prej 100 vjetësh. Prej këtij rregulli përfitojnë shumë kompani, të cilat prej shitjeve në mbarë botën gjenerojnë të ardhura prej më shumë se 20 miliardë euro në vit.
Ndër to bëjnë pjesë ndërmarrjet e mëdha amerikane si Google ose Apple, por edhe kompani gjermane apo kineze. Sipas rregullave të reja ato nuk do të kenë më të drejtë t’i transferojnë fitimet e tyre në vende me taksa të ulëta, ku mund të kenë regjistruar selinë, si për shembull në Irlandë, por duhet të paguajnë taksa në vendet ku tregtojnë prodhimet e tyre.
Shtylla e dytë ka të bëjë me një taksë të detyrueshme mbi fitimet e korporatave. Kjo taksë prej të paktën 15 përqind synon të parandalojë evazionin fiskal përmes zhvendosjes së selive të kompanive në të ashtuquajturat “parajsa fiskale”.
Sipas këtij rregulli, nëse një kompani paguan në një vend X vetëm 2 për qind taksa, ajo është e detyruar që në një vend tjetër Y, ku shet prodhimet ose zhvillon aktivitetin, të taksohet me 13 për qind taksa shtesë.
Reforma tatimore nuk është një dispozitë që do të shndërrohet në ligj në vendet e G20, por një traktat ndërkombëtar që i detyron shtetet t’i përfshijnë dispozitat e kësaj reforme në legjislacionin e tyre kombëtar. Kjo pritet të ndodhë në vitin 2023.
Irlanda, Estonia, Hungaria dhe Qiproja nuk janë ende dakord me reformën e re të taksave dhe njoftuan se do të bëjnë rezistencë. Marrëveshjen për taksat brenda kornizës së OECD nuk e kanë miratuar disa vende si Nigeria, Kenia, Barbados si dhe Shën Vincenti dhe Grenadinet.
Nga ana tjetër edhe SHBA dëshiron që Britania e Madhe, Franca, Italia dhe vendet e tjera që aplikojnë një të ashtuquajtur “taksë dixhitale” kryesisht ndaj korporatat amerikane, t’i heqin këto taksa, sepse modeli me dy shtylla i miratuar në Venecia e bën të tepërt këtë lloj takse. /Deutsche Welle/