Deputeti i LDK-së, Agim Veliu, e ka kritikuar qeverinë e Albin Kurtit, duke thënë se e vetmja gjë u bë për dy vjet është shkaktimi i krizave dhe varfërimi i popullit.
Veliu në fjalën e tij në Kuvend theksoi se Kurti erdhi në ‘në pushtet me moton “çkapja e shtetit” për ta kapur vetë më fort.
“Albin çove shumë pluhur e tym që besa shkaktove edhe gjakderdhje deri sa erdhe në pushtet nga një shpëtimtar i vetproklamuar shpejt u bëre shkatërrimtar për çka ishte dëshmuar për shumë vite, deri sa u ule ku i përgjake edhe rrugët, jo me gjakun tënd por atyre që të besuan verbërisht. Derisa bëje politikën e rrugës sulmoje institucione, policinë dhe këdo që të doli përpara. Kur hyre në parlament kolegët deputetë deshe t’i verbosh me gaz lotsjellës. I bëre të gjitha për të ardhur në pushtet”, tha Veliu.
“Erdhe në pushtet me moton ‘ç’kapja e shtetit’ për ta kapur vetë më fort. Kape borde e institucione e institucionesh publike me burra e gra, motra e vëllezër e baxhanakë, ministrash e deputetë, dajë e teze për të cilët në fushat thoshe se janë për dasma”.
“Erdhe me premtime të mëdha për ta ç’kapur shtetin, shite shumë patriotizëm, nuk dua t’i prmend as të merrem me premtimet e kryemashtruesit Kurti, që me kauza të rreme kapi fronin. Për dy vjet në krye të qeverisë, e vetmja gjë që bëre shkaktimi i krizave dhe varfërimi i popullit”, tha Veliu.
“Ke vendosur të qeverisësh me logjikën e diktatorit. Sa më shumë të varfërosh dhe t’ia trashësh zullumin popullit aq më shumë do të përulen”, ka thënë më tej deputeti i LDK-së.
Veliu e ka quajtur Kurtin edhe “mashtrues me kravatë”.
Sipas Veliut, në dy vjetët e Qeverisë Kurti nuk ka pasur asnjë ndryshim pozitiv në Kosovë.
“Vështirë të numërohen krejt dëmet që ia shkaktove vendit për dy vjet.Ata që të besuan verbërisht iu mjaftuan dy vjet për ta kuptuar se cili je. Ata që të votuan do ta kthejnë shpinën ty dhe po të braktisin ty dhe vendin”, ka deklaruar Veliu.
“Sa më shpejt të ikësh, më mirë për ty e për Kosovën që po e çon drejt humnerës. Ti që po dëshmohesh si supermashtrues nuk i beson as vetes. I beson vetëm ambicies tënde të sëmurë prej diktatori”, iu drejtua më pas Veliu-Kurtit.
Seanca për dy vjetët e Qeverisë Kurti, e nisur të enjten dhe që vazhdoi të premten, është ndërprerë e do të vazhdojë edhe të mërkurën.