Poezi nga: Raymond Carver
Përktheu: Fadil Bajraj
Po qe se kam fat, do të jem i lidhur nga të gjitha anët
në krevatin e spitalit. Gypat do t’m’i fusin
në hundë. Por përpiquni të mos keni frikë nga unë, miq!
Po ua them bash tash se kjo është në rregull.
Tekembramja nuk po ju kërkoj edhe aq shumë.
Dikush, shpresoj, se do t’ju telefonojë të gjithëve
për t’ju thënë: “Ejani shpejt, ai po jep shpirt!”
Dhe të gjithë do të vijnë. Do të kem kohë
të hallallohem me të gjithë të dashurit e mi.
Po qe se kam fat, ata do të më afrohen
dhe unë do të jem në gjendje t’i shoh për herë të fundit
dhe ta marr me vete atë kujtim.
Sigurisht, do të më shikojnë dhe do të dëshirojnë të largohen me vrap
e të ulërijnë. Por pasi që më duan,
do të ma ngrenë dorën dhe do të thonë: “Mbahu trimërisht”
ose “Çdo gjë do të bëhet mirë.”
Dhe mirë e kanë. Çdo gjë është në rregull.
Bash mirë është. Sall po ta dinit se sa të lumtur më keni bërë!
Po shpresoj se fati s’do të më braktisë, dhe do të mund t’i bëj
do shenja të njohjes.
T’i hap dhe mbyll sytë sikur të thoja:
“Po, po ju dëgjoj. Po ju kuptoj.”
Bile do t’më shkoj ndoresh t’ju them diçka të këtillë:
“Edhe unë ju dua. Jini të lumtur”
Po shpresoj për një gjë të tillë! Ama nuk dua të kërkoj tepër shumë.
E po qe se nuk kam fat, njashtu siç e meritoj, animirë, vetë do të
bie, ashtu, pa kurrfarë gjase
për t’u përshëndetur ose për t’ia shtrënguar dorën ndokujt.
Ose të them se sa shumë ua kam mbajtur gajlen dhe jam kënaqur
në shoqërinë tuaj gjatë gjithë këtyre viteve. Sidoqoftë.
përpiquni të mos vajtoni shumë për mua. Dua që ta dini
se kam qenë i lumtur derisa isha me ju.
Dhe mbajeni mend, se këtë ua kam thënë para do kohe – në prill 1984.
Por jini të lumtur po qe se jap shpirt në praninë
e miqve dhe familjes. Nëse ndodhë kjo, besomëni,
Ia kam dal mbanë. Kësaj radhe nuk kam humbur.