Nga: Albana Beqiri
Nuk mund të besoj se burri i shtrirë në atë arkivol është im atë. Ai nuk është im atë, kurrsesi nuk është im atë. Nuk mund të jetë im atë. Aq shumë ia përsëris vetes këtë gjë, sa pothuaj filloj ta besoj edhe vetë.
Rrotull meje sillen plot njerëz, të njohur dhe të panjohur, të cilët për hir të së vërtetës nuk më bëjnë kurrfarë përshtypje. Ata nuk mund ta kuptojnë pse ai burrë i verdhur e pa pikë gjaku në fytyrë nuk mund të jetë im atë. Ata kurrë nuk do ta kuptojnë këtë, prandaj edhe nuk preokupohem me prezencën e tyre të pazakontë në shtëpinë tonë të madhe. Në të vërtetë, nuk dua të mendoj për ta. Thjesht e injoroj praninë e tyre dhe arsyen pse janë aty.
Tash jam bindur plotësisht se burri i shtrirë në atë arkivol nuk është im atë dhe kjo më bën të ndihem e huaj në atë zallamahi qarjesh e lotësh të pafund. Prandaj, ndoshta edhe nuk qaj, si bëjnë gjithë të tjerët rrotull meje. Më shtrëngojnë dorën, më ngushëllojnë, disa më të afërt shkojnë edhe më tej, më puthin apo shtrëngojnë në gjoksin e tyre, pëshpërisin fjalë ngushëllimi, disa të tjerë më afrojnë drejt vetes pa folur e gati të gjithë i dëgjoj tek i thonë njëri- tjetrit: e shkreta, është mpirë fare nga dhembja!
Nuk është e vërtetë se jam e mpirë. As jam e mpirë, as ndiej dhembje. Nuk kam pse të ndiej dhembje. Tashmë e kam bindur veten se burri i shtrirë në atë arkivol nuk është im atë. Nuk ka Zot të ma kthejë mendjen, së paku jo në këto çaste. Im atë më ka premtuar se nuk do të vdesë, se do të qëndrojë në këtë jetë, në mos për vete së paku për mua. Ai nuk më ka gënjyer kurrë. Nuk do më gënjente as këtë herë. Prandaj, unë besoj se burri në arkivol nuk është im atë. Për asgjë në botë im atë nuk do ta shkelte fjalën e tij. Asnjëherë nuk e ka bërë këtë, e, meqë përherë i ka mbajtur premtimet që ka dhënë, nuk ka arsye që të mos e bëjë edhe këtë herë.
Vazhdoj të mos qaj, t’i shoh njerëzit me çudi dhe të mos ndiej dhembje. Shoh nënën të vijë drejt meje, të më afrojë në gjoksin e vet, të më shtrëngojë për pak sekonda dhe pastaj të më afrojë te arkivoli. “Shihe për të fundit herë, më thotë. Tash do ta mbulojnë dhe nuk do ta shohësh më kurrë”. Afrohem jo aq shumë nga dëshira, sesa nga inercia. Në këto momente nuk mund t’ia prish nënës. E ndjej se duhet t’i bindem. Kundroj me kërshëri fytyrën e këtij burri të vdekur dhe sigurisht që vazhdoj të mendoj se ai nuk është im atë. Është dikush tjetër, një burrë tjetër çfarëdo, i cili ka marrë vërtet pamjen e babait tim, por sigurisht që është babai i një fëmije tjetër, prandaj vetvetiu ndjej keqardhje. Keqardhje për jetimin apo jetimen e shkretë, që pas kësaj dite jetën do ta ketë ndryshe.
Keqardhja pak ngapak fillon të shndërrohet në dhembje, e cila hapet dalëngadalë, në fillim diku në brendësi, pastaj nga pak i pushton gjymtyrët derisa mbërrin në gjoks. Atëherë filloj të qaj, nuk di as vetë pse qaj. Nga keqardhja për babain e vdekur të një jetimi, të cilin unë as që e njoh, apo për vetë jetimin jeta e të cilit tash e tutje do të ndryshojë? I dëgjoj njerëzit që po pëshpërisin: më në fund e shkreta, po qan. Duket se më në fund po kupton se çfarë i ka ndodhur. “Eh, ajo e mjera akoma nuk e di se çfarë e ka gjetur. Dale edhe pak. Akoma është e mpirë. Ca pika lot nuk e kanë çmpirë deri në fund”. E njoh këtë zë. Është i fqinjës në fund të rrugës. Nuk mund ta harroj lehtë këtë zë. As në këtë lloj gjurulldie të pashoqe. Është komshija që më së tepërmi i është ankuar tim eti për zararet e mia në kopshtin e saj. Tani është aty, në atë turmë që më duket e paformë dhe ndien keqardhje për mua.
Unë vazhdoj të qaj, s’e di pse, por qaj. Në fillim heshturazi, ngadalë, pastaj pak më shpejt e në fund me gulçe. Dy motrat e mia qajnë edhe ato. Janë veshur me të zeza dhe vigjëlojnë mbi trupin e vdekur të atij burri, me stoicizmin dhe dashurinë e bijave për atin. Ato me siguri mendojnë se ai është babai ynë. Ndryshe, pse të qajnë me aq shumë gulçe babin e dikujt tjetër? Diçka më ndalon t’u tregoj se ai nuk është babai ynë. Dua t’u tregoj, dua t’i çliroj nga ajo frikë dhe dhimbje e kotë, por nuk di pse nuk mundem. Goja më është mbyllur dhe fjalët, edhe ato janë mbyllur diku brenda gjoksit: një si darë ma ka shtrënguar gojën. Motrat qajnë, madje çirren nga të qarët. O Zot, mendoj me lebeti, ato vërtet nuk e dinë se ky burrë i vdekur nuk është babai ynë! Sa të marra që u besojnë ca doktorëve të panjohur apo këtyre njerëzve që mendojnë se i dinë të gjitha për jetën dhe vdekjen. Pushoni o të marra, klith. Mos ulërini e mos vajtoni si korba të zeza. Shkoni e hiqni ato rroba të zeza. Nuk e shihni se duan të na e hedhin, duan të na bëjnë të besojnë se ai i vdekur është ati ynë? Ju vërtet i besoni kësaj gënjeshtre?
Pres që ato të heshtin dhe pasi ta kuptojnë se çka u thashë, të vijnë e të më hidhen në qafë nga gëzimi. Ato vërtet po afrohen te unë, më përqafojnë fort, por vazhdojnë të qajnë. Duket fjalët e mia nuk kanë mbërritur te ato. Fjalët e mia kanë mbetur brenda asaj dare që ma ka shtrënguar gojën dhe nuk lë asnjë fjalë të dalë prej saj. Ndiej lotët e tyre që mi lagin faqet, duke u përzier me lotët e mi. Nuk di pse, por ende vazhdoj të qaj. Nuk di pse, por solidarizohem me to, me dhembjen dhe vajin e tyre dhe e kap veten duke qarë me gulçe. U jam mirënjohëse pasi së paku nuk pëshpërisin dhe nuk thonë “e shkreta”. Dhembja e tyre duket se është e sinqertë, ndryshe nga e asaj turme njerëzish, shumica të njohur, të cilët më duken sikur kanë marrë në dorë e tundin flamurin e mëshirës.
Nëna afrohet te ne, edhe ajo veshur me të zeza. Portreti i saj ngjason me vetë dhembjen dhe unë s’mund të rri pa e admiruar. Befasohem nga ky konstatim. Asnjëherë deri në këtë çast nuk e kisha admiruar nënën time. Nuk di as nëse e kam dashur aq shumë sa një fëmijë ka për detyrë ta dojë nënën e vet. Gjithçka që meriton dashuri dhe adhurim është im atë. Atë e dua dhe e adhuroj me tepri. Në këtë lidhje at e bijë, nëna nganjëherë më dukej si pengesë. Përpos tash, në këto momente që nuk e di pse më bën të ndiej admirim për të. Pa dashur të dijë për mendimet e mia, ajo afrohet drejt nesh, duke na e prishur idilin mes motrash. Do doja që im atë të ishte këtu, pikërisht në këto momente dhe të na shihte ne, tre bijat e tij kaq të bashkuara. Asnjëherë nuk kemi qenë në unison me njëra-tjetrën si në këtë ditë. Madje, deri në këtë ditë na ka penguar prania e njëra-tjetrës. Por sot, sigurisht diçka ka ndodhur, diçka e madhe që na ka detyruar të hidhemi në përqafimin e njëratjetrës, si atëherë kur pas ndonjë zënke babai na detyronte të përqafonim njëra-tjetrën në shenjë të pajtimit.
Nëna afrohet edhe më. Unë pres që ajo e lumtur tek i sheh tre bijat e saj në krahët e njëra-tjetrës, të na bashkangjitet në shenjën e bashkimit familjar. Por jo. “Edhe pak minuta do të jeni me të”, thotë ngadalë. “Ju e dini, babai nuk ka dashur t’ju shohë kurrë të qani. E dini sa e urrente lotin në sytë tuaj. As sot nuk do të donte t’ju shihte të qani”. Ajo nuk na lutet të mos qajmë me lebeti. Ajo na urdhëron. Një çudi tjetër kjo! Ajo kurrë nuk na ka urdhëruar, gjithmonë na ka lutur për diçka dhe më shumë ka qenë e mbyllur në guackën e butësisë dhe heshtjes së saj, sa kurrë nuk kemi mundur ta shohim të tillë: të fortë. Çudi, shumë çudi! Nuk mund ta besoj se ajo që po flet është ime më. Jo, jo, as kjo grua nuk mund të jetë ime më. Nëna ime është një grua e bukur, e brishtë në bukurinë e vet, e tërhequr në vete, një grua që rrezaton nga bukuria dhe brishtësia. Gruaja që po flet me ne nuk mund të jetë ime më. Kurrsesi nuk mund të jetë nëna ime.
Para vetes kam një grua të fortë si guri, e cila ka filluar të thinjet vetëm prej disa orësh, bukuria e së cilës ka filluar të vyshket nga një dhembje e ankthshme që vështirë fshihet, ndërsa brishtësia ka humbur s’di se ku. Kjo grua e panjohur nuk mund të jetë nëna ime. Ashtu sikurse kurrsesi nuk mund të jetë babai im ai burrë i shtrirë në shtratin e vdekjes. Ai burrë i pafuqishëm dhe i mposhtur nga vdekja e të cilin nga varri e ndajnë veçse disa dhjetëra minuta, nuk mund të jetë im atë. Pavarësisht se motrat e mia besojnë se ai është babai ynë, pavarësisht se këtë e thotë dhe e beson ai grumbull amorf njerëzish që janë shpërndarë nëpër gjithë shtëpinë tonë të madhe, madje edhe në dhomën e gjumit të prindërve të mi, pikërisht në atë dhomë, e cila ishte streha e atit tonë e në të cilën edhe ne fëmijët e tij rrallë hynim. Pavarësisht nga kjo unë nuk e besoj këtë gjë.
Babai im është një burrë i fortë, i tillë sa nganjëherë më ngjason me një copë nga shkëmbinjtë e vendlindjes së tij të largët. Babai im di gjithçka, ai di madje edhe si t’i shpëtojë vdekjes. Nuk ka pasur jetë të lehtë, por gjithçka e ka përballuar, prandaj unë e di se ai e përballon edhe vdekjen. As kjo grua e fortë që është përballë meje nuk mund të jetë nëna ime. Nëna ime nuk është një grua e fortë dhe e ashpër. Përkundrazi është e butë dhe e brishtë. Ajo e plotëson tim atë me brishtësinë e vet, prandaj ai është aq i përsosur. Nëna ime nuk di të jetë e fortë, ajo nuk mund të jetë e fortë. Gjithmonë ka qenë aq e butë dhe gracioze sa e kam të vështirë që tash, në këtë ditë kur të gjithë po më bëjnë presion që të mendoj se babai im është i shtrirë në atë arkivol, të besoj se gruaja që thotë se është nëna ime, vërtet është ajo.
Gjithçka më vjen e ngatërruar në kokën time të lodhur nga gjithë ajo çka po ndodh rreth meje. Nuk kuptoj pse gjërat janë përmbysur në këtë mënyrë, pse jeta ime po zhvillohet në këtë perspektivë të përmbysur, prej së cilës më shtyjnë të besoj se prindërit e mi janë ata që unë nuk besoj se janë apo më mirë janë ndryshe nga ata që unë kam besuar se janë. Unë nuk e dua këtë situatë të përmbysur. Unë dua vetëm që këta njerëz të largohen të gjithë dhe gjithçka të jetë si më parë. Babai të jetë po ai burri i fortë që unë kam besuar se është dhe nëna të jetë po ajo gruaja e brishtë që unë kam parë të jetë. Është e vërtetë se nuk më ka pëlqyer dhe aq shumë ajo nëna ime e brishtë, por kur e shoh nënën time të re, këtë grua të fortë si guri që është përballë meje, ajo e para, nëna e vërtetë më pëlqen së tepërmi.
Kur thellohem dhe mendoj më tepër, kuptoj se edhe pse nuk e kam ditur, e kam dashur nënën time, atë të vërtetën, të brishtën, të heshturën. Do doja të ishte këtu që t’i tregoja se sa shumë e kam dashur. Nuk e dua as këtë baba të ri, i cili sigurisht nuk është i imi, këtë baba të mposhtur nga vdekja, i cili pas disa çastesh do të mbyllet në varrin e tij, aty pranë prindërve të vet, pa ma dhënë mundësinë ta shoh sërish. Unë e dua sërish babanë tim, atë të vërtetin, i cili qesh dhe zemërohet, që para se të më qortojë për gabimet e mia të shumta, më fal dhe më kupton për të gjitha. Unë e di me siguri se burri i shtrirë në arkivol nuk është babai im, por me trurin tim të lodhur e kam të vështirë ta kuptoj se ku ka shkuar babai im. Shoh përreth turmës mos e shoh në ndonjë cep. Nuk është askund.
Nuk mund të besoj se nuk është askund, ashtu sikurse nuk e besoj se ai më ka braktisur. Sigurisht që është në ndonjë nga shërbimet e tij të vazhdueshme, diku ku nxirret naftë apo ka rrëshqitje toke. Ka punë të vështirë, e cila e mban larg familjes dhe njerëzve që do edhe kur ai më së tepërmi ka dëshirë të jetë me ta. Sigurisht është atje, në krye të detyrës, siç thotë gjysmë me shaka, gjysmë nga zori, përndryshe për asgjë tjetër nuk do ta kishte humbur këtë cirkusiadë, pjesëtare e së cilës po bëhem pa dëshirën time. Po të ishte këtu në këto çaste, po të mos ishte në ato shërbimet e largëta që e çon puna e mallkuar, sigurisht që do të qeshte me atë babanë tjetër të shtrirë në arkivol, që i ngjan aq shumë. Në pamje sigurisht. Do qeshte po ashtu edhe me atë nënën time të re, atë të fortën. Atë që hiqet sikur është gruaja e tij, vejusha e tij. Sigurisht nuk ka për t’i pëlqyer. Ai është i dashuruar me gruan e tij të bukur dhe të brishtë. Me nënën time. Dhe, kjo grua e fortë që po hiqet si nëna ime, në të vërtetë nuk është nëna ime. Ai nuk mund të dojë grua tjetër veç nënës time. Disa herë ma ka thënë këtë.
Gruaja e fortë, vejusha me rroba të zeza, e cila thotë se është nëna ime, më kap përqafe, më shtrëngon fort. Mua më duket se ma merr frymën, por më vonë nuk di pse, por ndihem mirë në atë përqafim. Edhe pse nuk është përqafimi i nënës sime të vërtetë, duhet ta pranoj, ndihem mirë. Dhe qaj. Ndiej se kam nevojë të qaj. Qaj. Në fillim ngadalë, pastaj me gulçe. Gruaja që thotë se është nëna ime më shtrëngon edhe më. Se çka diç të butë në atë shtrëngim. Diçka prej butësisë së dikurshme të nënës sime të vërtetë. Por, unë nuk bie në kurth. Pak butësi nga kjo grua e fortë nuk e ndryshon faktin se ajo nuk është nëna ime. Por, duket se ajo ka vendosur që të luftojë deri në fund të më bindë se është nëna ime.
Më afron edhe më drejt arkivolit. “Është çasti i fundit me tët atë”, më thotë. “Pas pak arkivoli do të niset në varreza”. Dua t’i them se ai nuk është im atë. Dhe, përderisa nuk është im atë, ky nuk është çasti i fundit me të. Babai ka shkuar në shërbim, dua t’i them dhe do të kthehet pas disa ditësh. Do të ketë miliona çaste të tjera me të, miliona e miliona çaste derisa të vijë çasti i fundit. As ti nuk je nëna ime, dua t’i them. Po të ishe nëna ime nuk do të besoje se yt shoq ka vdekur. Ti nuk je nëna ime. As burri në arkivol nuk është babai im. Dua t’i them të marrë arkivolin e të shoqit dhe të shkojë ku të dojë. Në varreza apo kudogjetkë. Vetëm të largohet. Ta lirojë nënën time nga ku e ka burgosur (nëna ime është aq e brishtë, sa lehtë e kanë mbyllur diku për të mos e lënë të jetë me mua dhe motrat e mia). Ta lirojë që kur të vijë babai ta gjejë në shtëpi, ashtu si gjithmonë.
Por, nuk i them asnjë fjalë. Nuk di pse nuk i them asnjë fjalë. Por i bindem, si somnambul, i bindem. Vështroj burrin e vdekur dhe nuk di pse dridhem. Aq shumë i ngjan tim eti. Dridhem nga frika se edhe babait mund t’i ndodhë diçka e kësisoj. Dridhem se mos edhe tim atë do më duhet ta shoh ndonjëherë, ndonjë ditë sado të largët, në një pozicion të tillë. E vështroj edhe më. Plotësisht i vdekur, plotësisht i ngjashëm me tim atë. Duket i qetë, mu sikur fle. Unë qaj. Qaj, sepse e di që ai është ati i dikujt tjetër, ati i një bashkëmoshatarit tim. Vetëm nuk e kuptoj pse ai nuk është në vdekjen e atit të tij. Ndoshta ashtu si unë edhe ai, bashkëmoshatari im i panjohur, biri apo bija e këtij burri të vdekur, i cili çuditërisht ngjason aq shumë me tim atë, nuk e beson se ati i tij ka vdekur. Nuk mundet ta shohë atin e vdekur. Nuk e kuptoj gjithashtu pse më kanë sjellë mua këtu dhe më thonë se burri i vdekur është im atë.
Kujtohem se gjithçka po ndodh në shtëpinë time. Askund nuk më kanë dërguar, por në shtëpinë time kanë sjellë një të vdekur dhe duan të më bindin se është im atë. E kanë ngujuar diku nënën time (sigurisht duke përfituar nga butësia dhe pafajësia e saj si dhe nga mungesa e tim eti, i cili është në një nga shërbimet e shpeshta që e dërgon puna e tij e mallkuar) dhe më kanë sjellë një grua të fortë dhe më thonë se është nëna ime. Çuditërisht ajo ngjason me nënën time, përveç thinjave (nëna ime nuk ka thinja në kokë), por nuk është nëna ime. Kjo grua e luan lojën mirë, ajo ngjason me një shkëmb, ndoshta me ata shkëmbinjtë e vendlindjes së largët të tim eti, më flet e shtrëngon si nëna ime, por unë e di se nuk është nëna ime. Më çudisin vetëm motrat e mia. Ato janë vërtet motrat e mia, unë jam e bindur për këtë. Nuk e kuptoj si ato besojnë se burri i shtrirë në arkivol, i cili çuditërisht ngjason me babanë tonë, është babai ynë, ashtu sikurse besojnë se gruaja e fortë, që çuditërisht ngjason me nënën tonë, është pikërisht nëna jonë. Janë mendjelehta motrat e mia, mendoj. Ç’mund të bëj që ato të kthjellohen dhe të kuptojnë sesa e gënjeshtërt dhe absurde është e gjithë kjo situatë?
Asgjë. E ndiej se nuk mund të bëj asgjë. Fjalët që u them nuk shkojnë deri në veshët e tyre. Nëse motrat e mia nuk i kanë ngujuar diku e në vend të tyre të më sjellin motra të tjera, të cilat çuditërisht të ngjajnë me motrat e vërteta, atëherë i kanë hipnotizuar deri në atë pikë sa të besojnë gjithçka që u thonë? Përndryshe si nuk mund ta kuptojnë ato që burri i shtrirë në atë arkivol nuk është babai ynë, ndërsa gruaja që përpin në heshtje lotët nuk është nëna jonë?
Ndërsa prek ballin e ftohtë të burrit të vdekur, ndjej dhimbje. Më dhimset vetja dhe ai i vdekur, të cilin nuk e qajnë fëmijët e tij, por fëmijë të huaj. E puth atë ball të ftohtë, që tashmë i është dhënë plotësisht vdekjes dhe qaj. Ti nuk je babai im, i bërtas të vdekurit. Ai nuk reagon. E di se nuk mund të reagojë. Është i vdekur dhe asnjë fjalë e imja nuk mbërrin te ai. Ti nuk je nëna ime, i bërtas gruas që është përkrah meje dhe hiqet sikur është nëna ime. Ajo vazhdon në heshtje të përpijë lotët e dhembjes. Nuk më ka dëgjuar apo i injoron klithmat e mia?
Largohuni, u bërtas njerëzve të mbledhur në shtëpinë time, shumica e të cilëve janë të afërm dhe të njohur. Pse qani kot një njeri të panjohur, iu klith sërish. Ata vazhdojnë të qajnë, vazhdojnë të më shohin me mëshirë, ashtu si shihet një jetim. Fjalët e mia nuk depërtojnë deri në veshët e tyre, që rrinë ngrehur vetëm për të dëgjuar thashethëna. Po ju, pse qani më kot, iu klith motrave të mia të vërteta që qajnë me ngashërima mbi kokën e atij që mendojnë se është babai ynë i vdekur. Si mund ta besoni se ai njeri vdekur është ati ynë? Ato më afrojnë drejt vetes dhe më shtrëngojnë fort. Fjalët e mia nuk kanë depërtuar deri në veshët e tyre. I shtrëngoj edhe unë. Qaj bashkë me to. Vajtoj si ato. Ndiej dhembje bashkë me to. Shtrëngoj dorën e gruas që thotë se është nëna ime, duke i lënë të kuptojë se e besoj se është nëna ime. Puth ballin e ftohtë të burrit që më thonë se është babai im, ashtu si do puthja ballin e tim eti. Vështroj me mirëkuptim njerëzit e mbledhur në fatkeqësinë tonë dhe në heshtje iu falenderohem për mëshirën e tyre. Më duhet të besoj se jam fëmija jetim i babait të vdekur.